Ati shpirtëror i arbëreshëve, Antonio Belushi mbyll sytë në moshen 90-vjecare. Lidhjet e tij me Shqipërinë me fillin e këputur 6 shekuj më parë kanë qenë të forta. Vizitat në Shqipëri për At Belushin ishin si “Kthim në Itakë”.
“Prifti arbëresh ishte luftëtar i forte i ruajtjes se vlerës unike të trashëgimisë arbëreshe. Arkivi i tij i pasur me letërkëmbime me personalitete, etnografi, regjistrime në 900 katunde arbëreshe në Itali e Greqi 5 vite më parë prifti arbëresh me nënshtetësi shqiptare ia dhuroi arkivit të shtetit shqiptar”.
Antonio Belushi ishte prift, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog, lindi në vitin 1934 në Frashinetë të Kozencës në Itali. Ai ka dhënë dëshmi të panumërta për mbrojtjen e kauzës shqiptare, sidomos asaj të Kosovës, si klerik, veprimtar e humanist. Antonio Belushi ka botuar studime per gjuhen arberore, doket e zakonet në revistat periodike si “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Përparimi”.
Për 50 vite ka bërë udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme, ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali dhe SHBA.
Ka botuar librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëve në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, “Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”. Qendra e Botimeve Arbëreshe, ka botuar edhe veprën e tij “Rrugëtim në ngulimet arbereshe” “50 kartolina gjigante arberore ne token italiane”. At Belushi ik nga kjo tokë me një merak të madh për gjuhën arbëreshe./abcnews.al