Ish kapiteni i kombëtares, Altin Lala thotë se Shqipëria do të ketë shanset e saj në ndeshjen që do të zhvillohet këtë të mërkurë në Hamburg ndaj Kroacisë, e vlefshme për grupin B në kampionatin evropian të futbollit, EURO 2024.
Në një intervistë për “ABC e Mëngjesit” në ABC News Lala u shpreh se Kroacia është ekip që nuk duhet nënvlerësuar dhe se në 10 vitet e fundit, ka pasur një gjeneratë të jashtëzakonshme futbollistësh. Lidhur me formacionin, sipas Lalës, mund të ketë ndryshime.
Sa i takon ndeshjes së parë ndaj Italisë, e humbur 2-1, Lala deklaroi se kuqezinjtë duhet të ishin më të guximshëm në fushë.
“Mendoj që Kroacia është ekip që ka tradita, këto 10 vitet e fundit ka një gjeneratë të jashtëzakonshme. Nuk është për t’u nënvlerësuar. Mendoj se kemi shanset tona sot. Luka Modriç është më i vogël se unë, e lashë 36-vjeç, kisha dëmtime. Mendoj që po. Ndeshja e parë, goli erdhi jashtëzakonisht shumë shpejt, u tërhoqëm shumë shpejt dhe poshtë. Duhet të ishim më të guximshëm. Dyluftimet nuk fitohen duke përcjellë lojtarin kundërshtar. Kundërshtari të detyron, por nga pankina mund të vijë sinjali që të jenë më agresivë. Kërkon sakrificë dhe të vraposh shumë. Nëse nuk ka organizim, ta mbajnë kundërshtarin pak më larg nga porta, ndoshta do kishim mundësi. Rezultati nuk është i turpshëm, Italia është kampione në fuqi, por të kishim luajtur më aktivë. Janë gjëra që ndodhin në të qindën e sekondës.
Unë mendoj që ndoshta mund të ketë një ose dy ndryshime. Arbër Hoxha, kur u fut në lojë, pati një diferencë, pati disa aksione, u bë problem edhe për mbrojtjen italiane. Në sulm, nuk jam i qartë. Mund të ketë ndonjë ndryshim në mesfushë. Po, patjetër”, theksoi ai./abcnews.al