Akademikja shqiptare tregon si u njoh me gjuhën serbe: Ishte viti 1977 dhe shteti kishte nevojë në institucione

schedule12:58 - 14 Qershor, 2024

schedule 12:58 - 14 Qershor, 2024

Gjuhëtarja akademike, Anila Omari ka rrëfyer rrugëtimin e saj në gjuhësi. Ajo ka treguar në emisionin “Pas Mesnate” se dashuria për gjuhën i ka lindur që në shkollën 8-vjeçare dhe zgjodhi që studimet t’i vazhdonte në këtë degë.

Sakaq, Omari ka zbuluar dhe se si u njoh me gjuhën serbe, të cilën e studioi gjatë viteve universitare.

“Gjithmonë kam pasur prirje për gjuhën shqipe dhe më pëlqente shumë, që në 8-vjeçare. Madje, ne në brezin tonë nuk bëmë gjuhë shqipe në gjimnaz se herë vihej dhe herë hiqej, edhe në atë kohë ishte hequr. U vu pastaj prapë më vonë. Kështu që unë për vete dhe brezi i ri kur diskutojmë, se pse tani brezi i ri nuk e pëlqen ose ça problemi ka, unë me gjuhën e 8-vjeçares kam shkuar dhe në fakultet. Më ka dalë e drejta e studimit për gjuhë dhe letërsi shqipe, ajo që dëshiroja, në letërsi nuk kisha dhe aq prirje nga kjo fushë, por gjuha më pëlqente.

Qëlloi për fat që atë vit që u futa unë në 1977, u hap një kurs me gjuhët e Europës Lindore, pasi shteti kishte nevojë për këto gjuhë, për institucionet e veta si Radio Tirana dhe u hap atë vit. Edhe gjithë kursi ynë prej 30 vjetësh, u nda në grupe dhe mësonin ndonjë prej këtyre gjuhëve. Unë isha në grupin e gjuhës serbo-kroate dhe kështu ishte njohja ime me këtë gjuhë, për të cilën u caktova në Institutin e Gjuhësisë”, tha gjuhëtarja./abcnews.al