Bardh Ahmeti nga PSD ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po tjetërson historinë e Kosovës.
Në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, ai ka thënë se qeveria po përjashton veteranët e luftës nga përfitimet. Ahmeti ka shtuar se qeveria e Kurtit nuk po jep asnjë ndihmë financiare ndaj krerëve të UÇK në Hagë.
Ai ka marrë shembullin e Hashim Thaçit, duke theksuar se Kurti e ka lënë pa avokat, pasi nuk ka fonde.
“Ne e kemi thënë si PSD që kjo përpjekje është për të retushuar qeverinë e Kosovës. Pra, qeveria e re e Kosovës do të thotë që ushtari i mirë i UÇK është ushtari i vdekur. Unë mendoj se për të parë se nga vjen kjo është mirë që të shohim gjendjen e ushtarëve veteranë të UÇK sot. Ushtari veteran i Kosovës, sot i merr 170euro pension. Paga e veteranëve të Kosovës, do të jetë e lidhur me pagën minimale. Qeveria e Kosovës është përkujdesur për t’i përjashtuar nga ky ligj dhe përkundër që është rritur paga minimale në 264 euro, veteranët i ka lënë me 176 euro, shtresa që paguhet më së paku.
“Mund të shohim edhe qasjen ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Së fundmi, Hashim Thaçi ka mbetur pa avokatin e tij kryesor në mungesë të fondeve. Pra, qeveria e Kosovës ka vënë një ligj, ku caktohen fondet që mund të jepen për krerët e UÇK që mund të jepen atje dhe në mungesë të këtyre fondeve, Thaçi e ka humbur avokatin kryesor. Pra, po rrezikojmë të dënohen krerët e Kosovës dhe përpjekja e popullit për liri”, u shpreh Ahmeti./abcnews.al