“Basha të krijojë parti të re”/ Mërtiri: Bashkim me Berishën? E pamoralshme, kur vendos vijën e kuqe…

schedule17:37 - 12 Qershor, 2024

schedule 17:37 - 12 Qershor, 2024

Politologu Ergys Mërtiri thotë se Lulzim Basha duhet të krijojë një forcë të re politike, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që i dha Sali Berishës vulën dhe logon e Partisë Demokratike.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Mërtiri u shpreh se një bashkim i Bashës me Berishën, do të ishte diçka e neveritshme dhe e pamoralshme.

Sipas Mërtirit, kur vendos vija të kuqe, nuk duhet të ketë kthim pas.

“Ky është një moment që ata janë duke reflektuar dhe duke kërkuar besoj unë, rrugën më të mirë. Unë mendoj që rruga më e mirë është që ata të bëjnë një parti të re, çështja ligjore edhe mund të vazhdojë. Të mos presin vendime gjykate që mund të zgjasin me vite, por të bëjë një parti të re dhe secili të ndjekë rrugën e vetë. Kjo ndoshta ka qenë gjëja e duhur që duhet të ishte bërë që në fillim. Kjo nuk ndodhi, për shkak se palët këmbëngulën me kokëfortësi tek vula, selia, materia, kjo ka shkatërruar të dyja palët, ka sjellë një opozitë më të dobët se kurrë. Një luftë që ka sjellë shkatërrimin e opozitës. Sot, kur shoh nga krahu fitues që flasin për bashkim, më duket më e neveritshme se koha kur luftonin me njëri-tjetrin. Kur njerëzve që ke lançuar akuza, sot bëjnë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Secili bën zgjedhjen e vet. Nëse ti e shkel vijën e kuqe, pse vendos vija të kuqe? Kjo treegon që ata janë të papërgjegjshëm politikisht.

Në sytë e publikut kjo është e neveritshme. Nuk e bëjnë për parime, por për interesa të vogla të tyre, interesa korruptive. Një opozitë që e bën këtë, është një opozitë e pabesueshme. Nëse këta puqen, mund ta bëjnë, por do humbin besueshmërinë e publikut. Të ndarë janë më të fituar. 33 vjet kjo politikë është bërë, duhet të marrë fund, është e neveritshme. Nuk mund të ecet gjithmonë kështu. Vjen një moment që nuk të beson më askush. Partia që mori nuk ishte aq gati dhe nuk ishte aq e marrë. Nuk e kishte nën kontroll vetë. Një parti e tillë me kryetar të dubluar, nuk mund të jetë fituese. Publiku nuk mund ta pranojë. Nëse bëhet parti e re, do jetë pa lider të dubluar. Do jetë të paktën e vërtetë. Basha është i dobët, por në plan më afatgjatë, asgjë nuk është e pamundur”, theksoi ai./abcnews.al