TIRANË- Në studion e emisionit “360 Gradë” në ABC News, u diskutua tema, e cila lidhet me vrasësit që dalin nga burgu dhe rreziku që ato mbartin për t’u kthyer sërish në recidivistë.
Analisti Arben Meçe, theksoi se në Shqipëri ka disa kategori vrasësish, ndërsa pjesa që është më problematike shtoi ai janë pikërisht ata individë, të cilët kanë funksionuar si pjesë e grupeve të strukturuara kriminale.
“Janë disa tipologji vrasësish, është vrasësi në gjaknxehtësi e sipër, kemi vrasës që kanë profil vrastar. Këta janë mendje kriminale. Kemi vrasje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Vrasësi I parë ka rrethana lehtësuese. Ky lloj vrasësi kryen gjithë procedurën e gjykimit dhe dënohen. I dyti, përgjithësisht dënohen, sepse është individ dhe nuk ka presion ndaj institucioneve. Problemi në Shqipëri është pjesë tjetër, vrasje me pagesë, e cila është pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Ata janë të aftë të bëjnë çdo gjë në mbrojtje të interesave të tyre”, tha ai.
Sipas Meçes, i vetmi institucion në Shqipëri që ka fituar medaljen e besimit është SPAK. Ai shtoi se ky institucion ka përmbushur më së mirë rolin, për të cilin u krijua, falë dhe kontributit të ndërkombëtarëve.
“I vetmi institucion i reformës në drejtësi, i cili është vënë në provë, është SPAK dhe deri më sot ka rezultuar i suksesshëm në punën e tij”, tha ai.
Analisti Meçe u shpreh se para se të bëhej reforma në drejtësi, Gjykata e Larta ka marrë shuma të mëdha parash për të liruar persona të dënuar, dhe në këmbim të kësaj kanë përfituar shumë monetare të konsiderueshme.
“Gjykata e Lartë para se të bëhej reforma në drejtësia merrte valixhet me 300 mijë euro dhe lironin njerëzit. Janë pjesë e grupeve të strukturuara kriminale. Edhe pse janë liruar. Do të them njërin, s’po them emra. I përket Fierit, është liruar me këtë procedurë, sot është në arrati. Jeta që bëjnë ata është kriminale dhe nuk jetojnë dot të lirë”, tha ai./ abcnews.al