Kuvendi në kaos/ Balla: Distancohuni nga ‘non gratat’ dhe nga ata që djegin goma dhe bllokojnë foltoren

schedule12:15 - 6 Qershor, 2024

schedule 12:15 - 6 Qershor, 2024

Ndërsa mori fjalën në parlament, ministri i brendshëm Taulant Balla apeloi për distancim nga ata që siç tha ai djegin goma dhe bllokojnë foltoren, në një ditë të rëndësishme si kjo e sotmja për Europën, ditë që shënoi fillimin e fitores mbi tiraninë naziste.

“Sot është ditë një ditë e shënuar për Europën. Bëhet fjalë për 80-vjetorin e zbarkimit në Normandi të trupave aleate të SHBA, Britanisë, Franca dhe vende të tjera.

Ishte ky moment historik që shënoi fillimin e fitores mbi tiraninë naziste. I takon Kuvendit që këtë moment historik, ta përkujtojë solemnisht me një minut heshtje në nderim të dëshmorëve të botës së lirë. Ligji për gjendjen civile është përmbyllje e disa ndryshimeve që kemi sjellë, mbi regjistrin unik të adresave. Sot plotësojmë këtë paketë ndryshimesh që lidhet me revolucionin dixhital. Gjithë ky revolucion shoqërohet sot me përmirësimin e kuadrit ligjor.” Tha Balla, ndërsa një apel kishe edhe për deputetët e opozitës.

Meqë jemi në një ditë historike si D-day ju ftoj të distancoheni nga ata që pushtojnë me dhunë foltoren djegin goma apo nga ata që janë të shpallur non grata nga SHBA.” -tha Balla.

Fjala e plote:

Faleminderit Kryetare, do të kërkoja vëmendjen e kolegëve deputetë lidhur me faktin se sot është një ditë e shënuar për mbarë Europën, bëhet fjalë për 80 vjetorin e zbarkimit në Normandi të trupave aleate nga SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe vende të tjera. Ishte ky moment historik i 6 qershorit 1944, që shënoi edhe fillimin e fitores mbi tiraninë naziste. I takon Kuvendit të Shqipërisë që këtë moment historik, i cili gjatë këtij momenti që flasim, qoftë Presidenti amerikan Biden, edhe udhëheqësit e tjerë të botës së lirë, janë bashkë në Normandi për ta kujtuar këtë moment, edhe Kuvendi i Shqipërisë ta përkujtojë solemnisht përpara votimit me një minutë heshtje, në nderim të gjithë atyre dëshmorëve të botës së lirë, që ranë në atë moment të rëndësishëm zbarkimi, sikurse e thashë, shënoi edhe fillimin e fitores kundër nazizmit.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Ligji për Gjendjen Civile është një përmbyllje e disa ndryshimeve që kemi sjellë sa i përket edhe asaj që sollëm javën e kaluar që lidhet me regjistrin unik të adresave dhe sot plotësojmë gjithë këtë paketë ndryshimesh, e cila lidhet drejtpërdrejt me revolucionin digjital të shërbimeve, e cila ka sjellë edhe një ndryshim rrënjësor në perceptimin që qytetarët kanë sa u përket shërbimeve publike.
Një prej objektivave kryesore të qasjes së qeverisë sonë ka të bëjë me synimin tonë për të përmirësuar shërbimet publike, për t’i bërë ato më interaktive në marrëdhënie me qytetarët dhe në marrëdhënie me biznesin. Këto zhvillime kanë përshtatur në aspekte që kanë të bëjnë me vlerën juridike të të dhënave, ku përcaktohet se të dhënat e gjendjes civile janë të vlefshme kur lëshohen nga nëpunës të shërbimit të gjendjes civile ose edhe me mjete elektronike.

Për ta thënë më qartë, gjithë ky revolucion digjital në shërbimet tona digjitale, shoqërohet sot edhe me përmirësimin e kuadrit ligjor. Krahas parashikimeve në legjislacionin e fushës për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, përmendim këtu vendimin e Këshillit të Ministrave “Për procedurat e ofrimit të shërbimeve on-line nga institucionet shërbim-ofruese dhe për metodologjinë e monitorimit e të kontrollit të veprimtarisë administrative të ofrimit të tyre”, janë përcaktuar dhe reflektuar ndërhyrjet e duhura ligjore në këtë drejtim. Në zbatim të kësaj reforme, me një diapazon të gjerë në ofrimin e shërbimit publik të gjendjes civile, dokumentet kryesorë të gjendjes civile në plotësim të nevojave administrative të shtetasve, vijojnë të ofrohen tashmë vetëm elektronikisht, jo me dorë.

Mënyra e lëshimit elektronikisht të dokumenteve të gjendjes civile, do të jetë me nënshkrim elektronik, si në rastin e Sistemit të Qarkullimit të Dokumenteve me Nënshkrim Elektronik (SQDNE) dhe madje edhe me vulën elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”. Miratimi i rregullave të regjistrimit, të dhënave parësore, dytësore, dhënësit e informacionit, ndërveprimi me bazat e tjera të të dhënave dhe niveli i aksesimit për bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar, është përcaktuar me një vendim të Këshillit të Ministrave.

Ofrimi i shërbimit të gjendjes civile tashmë ka evoluar në ofrimin elektronik nëpërmjet platformës qeveritare “e-Albania”, ku shtetasit përfitojnë pjesën më të madhe të shërbimeve të gjendjes civile, pa u paraqitur në sportele dhe duke shmangur prezencën fizike në këto sportele. Ofrimi i këtij shërbimi më fleksibël konsiderohet dhe për pjesën e madhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit e të cilët i përshëndesim sepse në fund të fundit, ky është një ligj që u vjen drejtpërsëdrejti në ndihmë të gjithë bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë territorit, e të cilat, të cilët lëshohen sipas formatit për përdorim jashtë vendit, si një aspekt tjetër lehtësues në plotësimin e nevojave të tyre administrative në shtetin e huaj ku zhvillojnë veprimtarinë e tyre.

Për më tepër ky aspekt do të përcaktohet me shtimin e funksioneve të gjendjes civile, që synohen t’u jepen nëpunësve në postet tona konsullore, nëpërmjet një akti të përbashkët që do të miratohet në bashkëpunim me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme. Miratimi i këtij projekt akti, do të institucionalizojë veprimtarinë e nëpunësve konsullorë, duke u dhënë kompetenca të mirëfillta si nëpunësit e gjendjes civile sot në zyrat e gjendjes civile, qoftë në bashki apo njësi administrative, proces i cili njëkohësisht kërkon monitorim të vazhdueshëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, me cilësinë e organit epror të këtij shërbimi. Në frymën e projektligjit të propozuar, zyrat tona konsullore jashtë vendit, do të konsiderohen mirëfilli sportele të gjendjes civile.

Zonja e zotërinj deputetë,

Duke ju falënderuar edhe për bashkëpunimin dhe komunikimin që kemi pasur në kuvend, dua t’ju informoj që kemi marrë në konsideratë edhe propozime që kanë ardhur nga opozita, sikurse e bëjmë gjithmonë, nëse ato vijnë në rrugë zyrtare, nëse ato nuk vijnë duke pushtuar foltoristët foltoren. Meqenëse jemi në një ditë historike sikurse është D-day, ju ftoj të distancoheni nga ata që pushtojnë me dhunë foltoren, djegin goma apo nga ata që janë të shpallur ‘Non-grata’ nga SHBA, falë të cilëve festojmë sot edhe D-Day. Gëzuar D-Day mbarë shqiptarëve!

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!