Juristja Brizida Gjikondi i sheh akuzat e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj në RAI3 ndaj kreut të qeverisë, Edi Rama, si pjesë të një skenari të një lufte të madhe edhe brenda Partisë Socialiste.
Në emisionin “360 gradë’ në ABC News, Gjikondi u shpreh se Ahmetaj, i cili është në kërkim nga drejtësia për korrupsion, nuk mund të dalë dhe të denoncojë qeverinë ku ai ka bërë pjesë.
Sipas Gjikondit, Ahmetaj e bën këtë jo për të goditur Ramën, por për një gjë akoma më të madhe.
“Nuk më çudit asgjë. Kjo është ajo pjesa që thashë unë që në atë emision, ti shikon edhe mëkatet edhe kusuret e Ramës, pavarësisht se dua ta shikoj përtej gjësë, që nga momenti që Ahmetaj ka dhënë një intervistë të gjatë pranë televizionit të familjes Berisha, mua nuk më çudit asgjë. E pashë të gjatë intervistën e tij gjoja pa mendjen e tij, që hante makarona dhe kruante dhëmbin me thoin e vogël. Një element për të treguar që aktrimi ka arritur në gradën superiore. Këto janë kusuret e Ramës me kë ka bashkëqeverisur dhe me kë ka bashkëpunuar, patjetër mendoj që Ahmetaj është pjesë e një skenari të një lufte të madhe edhe brenda Partisë Socialiste. Nuk ka gjë më të tmerrshme që një personazh i proceduar dhe i kërkuar nga drejtësia shqiptare për një mega korrupsion gjigant, të na japë mend dhe të bëjë sikur denoncon korrupsionin dhe qeverinë ku ka qenë në krye të saj dhe gjoja dhe ka dalë kundër për rritjen e kanabisit, ka qenë kundër gjoja edhe për takimet e Ramës me personazhe të spiktatur, kur vetë Ahmetaj është një nga ato personazhe të spikatur që Rama e ka pasur në zyrë.
Ka një paradoks dhe neveri aq të madhe dhe një pabesi aq të madhe. Mendoj se Ahmetaj është pjesë e një skenari të tërë që po bëhet mes pseudo të djathtës shqiptare, por edhe elementëve të së majtës shqiptare, që Rama vazhdon i ka afër. Ai do që të heqë vëmendjen nga gjërat që po ndodhin në Shqipëri. Me aq lekë sa ka çuar në Zvicër ai, nuk besoj se ka nevojë për stërhollime azilesh. Korrupsioni që ka bërë, atij nuk besoj se do i ngrejë peshë një deklaratë dhe një intervistë. Nuk e bën për të goditur Ramën, e bën për një gjë akoma më të madhe. Ka projektet e veta, i ka me një grup të caktuar njerëzish. Nga politika janë pasuruar këto shushunja. Në kurriz të politikës kanë vjedhur”, theksoi ajo./abcnews.al