“Arena kombëtare” hap dyert sot, në ndeshjen testuese që Vllaznia dhe Apolonia për femra do të zhvillojnë prej orës 19:00. Ky është testi gjeneral për funksionimin e stadiumit të ri dhe angazhimi i Federatës Shqiptare të Futbollit ka qenë maksimal.
Është shumë e rëndësishme që të hapet çdo sektor i stadiumit dhe inspektorët e UEFA-s të vëzhgojnë me kujdes çdo detaj dhe më pas të japin “OK”-in që Shqipëri-Francë të luhet aty, edhe pse në FSHF e konsiderojnë çështje të mbyllur diçka të tillë.
Për ndeshjen e sotme pritshmëritë janë të mëdha sa i përket numrit të tifozëve. 10 deri në 12 mijë tifozë pritet të jenë në stadium, ndërkohë që janë dërguar një numër i madh ftesash. Sigurisht ka një kuriozitet të madh për të parë stadiumin e ri, që është më i madhi dhe më moderni në vend. /abcnews.al