Polici që u plagos rëndë në një sulm me thikë në qytetin gjerman, Manhajm, të premten e kaluar, ka ndërruar jetë, thanë autoritetet lokale.
Polici 29 vjeç ka qenë një nga gjashtë personat që janë plagosur nga sulmuesi, i cili është ndaluar në vendin e ngjarjes. Ai është goditur disa herë me thikë në kokë.
Pavarësisht se i është nënshtruar një operacioni urgjent, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka vdekur pasditen e së dielës. “Ky lajm më ka tronditur deri në palcë”, tha lideri i landit Baden-Vyrtemberg, ku ndodhet qyteti Manhajm.
Sulmi tregon “rrezikun shpesh të pallogaritshëm, me të cilin përballen oficerët e policisë çdo ditë”, tha Winfried Kretschmann. Sulmi ka ndodhur të premten në një shesh të qytetit Manhajm.
Sulmuesi i dyshuar, që besohet të jetë një afgan 25-vjeçar, i cili ka arritur në Gjermani në vitin 2014, është qëlluar dhe plagosur nga policia në vendngjarje. Sipas policisë, motivi i tij mbetet i paqartë./Rel