Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko nënshkroi një dekret që pezullon pjesëmarrjen e Bjellorusisë, aleatit më të ngushtë të Rusisë në Traktatin për Forcat Konvencionale në Europë (CFE).
Dekreti, i cili u nënshkrua më 24 maj, u publikua sot në faqen zyrtare ish-republikës sovjetike, e cila kufizohet me Rusinë dhe Ukrainën.
Bjellorusia nuk është përfshirë drejtpërdrejt në luftën kundër Ukrainës, por ka lejuar ushtrinë ruse të përdorë territorin e saj për të nisur sulmin e saj në shkurt 2022.
Pas rizgjedhjes së tij të kontestuar ashpër në vitin 2020, Lukashenko, i cili ka qenë në pushtet në Bjellorusi për gati tre dekada, është mbështetur kryesisht tek Moska, e cila i ka ofruar qeverisë së tij mbështetje financiare, diplomatike dhe ushtarake.
Rusia pezulloi në mënyrë të njëanshme në dhjetor 2007 pjesëmarrjen e saj në traktatin CFE të vitit 1990, i cili kufizon forcat dhe pajisjet, tanke, avionë, artileri – nga Atlantiku në Urale dhe parashikon shkëmbimin e informacionit dhe inspektimet reciproke.
Në maj 2023, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi tërheqjen zyrtare të Rusisë nga Traktati për Vendosjen e Armëve Konvencionale në Europë./abcnews.al