Gresild Lika ishte një ndër lojtarët më të mirë të ndeshjes Luftëtari – Teuta. Sulmuesi anësor, i cili është një prodhim i Partizanit, komentoi barazimin pa gola në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
22-vjeçari e pranon pikën e marrë dhe beson se Luftëtari do të qëndrojë në Superiore, pavarësisht se është shumë e vështirë. Ekipi ka nevojë për merkato dhe Lika shpreson që drejtuesit të ofrojnë 2-3 lojtarë me eksperiencë.
“E dinim forcën e Teutës. Ata janë pretendentë. I mbyllëm hapësirat, meritonim më shumë, por jemi të kënaqur me barazimin. Superiorja është e vështirë dhe trampolinë për lojtarët e rinj. Shpresojmë të qëndrojmë në Superiore. Është e vështirë në dukje, por kam besim se mund t’ia dalim. Ëndrra e çdo lojtari është të shkojë ku ka shtëpinë, por Luftëtari po më jep mundësinë. I falënderoj të gjithë, presidentin, trajnerin dhe stafin teknik. 2-3 lojtarë me eksperiencë do të na ndihmonin për realizmin e objektivit“, përfundon Lika. /abcnews.al