Zhvatja me kreditë/ Deniz Deralla: Duhet një tavan për normën e interesit, kompanitë kanë shfrytëzuar hapësirat ligjore

schedule20:46 - 24 Maj, 2024

schedule 20:46 - 24 Maj, 2024

TIRANË- Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Deniz Deralla, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, u pyet nëse kanë patur dijeni për veprimtarinë e kompanive, që dyshohet se zhvasnin qytetarët nëpërmjet mikrokredive.

Ai theksoi se Banka e Shqipërisë ka kryer inspektime në kompanitë financiare jo banka, që ishin licencuar për mbledhjen e kredive të këqija, por në regjistrin e kredive nuk kanë evidentuar skemën e mashtrimit.

Sipas tij, Shqipërisë aktualisht i mungon një ligj, i cili të përcaktonte një kufi tavan për normën e interesit. Ai shtoi se me ketë ligj do të rregullohej veprimtaria ligjore dhe do bëhej dallimi nga pjesa e ligjshme me ato të fajdeve.

Sipas Derallës, kompanitë që po hetohen për mashtrim, e kanë shfrytëzuar këtë mungesë ligjore dhe kanë kryer veprimtari në dëm të qytetarëve.

“ Unë ju thashë se ne kemi inspektuar këto kompani vazhdimisht. Ne në regjistrin e kredisë nuk kemi evidentuar raste të kësaj natyre. Në Shqipëri nuk ka një ligj, që të ketë një tavan të përcaktuar për normën e interesit. Patjetër që po e kanë shfrytëzuar hapësirën ligjore, edhe gurvenatori në seancën dëgjimore në Komisionin parlamentar, iu referua mungesës ligjore dhe ne duhet të ndërmarrim disa hapa. Së pari, të përcaktohet veprimtaria e përmbaruesit, një ligj për kufirin e normës ku të përfshihet dhe fajdja si vepër penale dhe më pas do kemi përmirësimin të kushteve”, tha ai.

Ai u shpreh se janë rreth 96 mijë kredi të këqija, të cilat kanë kaluar nga bankat tek këto kompani për të mbledhur detyrimet e prapambetura  financiare.

“Nuk kemi një shifër të saktë. Kjo është një çështje e prokurorisë së Tiranës. Janë 96 mijë kredi të këqija që kanë kaluar nga sistemi bankar në katër kompanitë që trajtojnë kreditë e këqija. Ato, kompanitë MCA dhe Final kanë patur 54 mijë klientë dhe sot kanë 28 mijë klientë. Sigurisht jo të gjithë klientët janë mashtruar”, tha ai.