RUSI- Presidenti rus, Vladimir Putin, është i gatshëm të ndalë luftën në Ukrainën me një armëpushim të negociuar që njeh linjat aktuale të fushëbetejës, kanë njoftuar katër burime ruse.
Tre nga burimet thanë se lideri rus është shprehur i zhgënjyer ndaj një grupi të vogël këshilltarësh për shkak se ai i sheh si përpjekje e mbështetur nga Perëndimi për të penguar negociatat.
Ai, si të tjerët, ka folur në kushte anonimiteti duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjes, shkruan Reuters. Si përgjigje ndaj deklaratave të burimeve, edhe zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia është e gatshme për dialog për të arritur qëllimet e saj.
Burimet thanë se Putini e ka kuptuar se çdo përparim tjetër dramatik do të kërkojë një mobilizim ndërkombëtar, të cilit ai i druhet. Gjithashtu, burimet theksojnë se presidentit rus i ka rënë popullariteti pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, për shkak se shumica e burrave të frikësuar u larguan nga vendi.
Por, perspektiva për një armëpushim dhe paqe thuhet të jetë aktualisht e largët.
Zelensky vazhdimisht ka thënë se paqja nuk bëhet sipas kushteve të Putinit. Ai është zotuar të rimarrë territorin e humbur, duke përfshirë Krimenë. Gjithashtu, nënshkroi një dekret në vitin 2022 që deklaroi zyrtarisht çdo bisedë me Putinin “të pamundur”.
Sipas burimeve, Rusia nuk mund të arrijë asnjë marrëveshje për armëpushim për aq kohë sa është Zelensky në krye të Ukrainës, përveç nëse ajo e anashkalon atë dhe arrin marrëveshje me Uashingtonin.
Megjithatë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u shpreh se besonte se Putini nuk është i interesuar për negociata serioze.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së tha se çdo iniciativë për paqen duhet të respektojë “integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht” dhe e përshkroi Rusinë si pengesën e vetme për paqen në Ukrainë.
“Kremlini ende nuk ka treguar ndonjë interes domethënës për t’i dhënë fund luftës, krejt e kundërta,” tha zëdhënësi.
Por, çfarë do të thotë ngrirja e luftës sipas linjave aktuale të fushëbetejës? Ngrirja e luftës sipas linjave aktuale do ta linte Rusinë në zotërim të pjesëve të konsiderueshme të katër rajoneve të Ukrainës, por pa kontroll të plotë të asnjërit prej tyre.
Ndërkohë, në shkurt, tre burime ruse thanë për Reuters se Putini dëshiron të marrë sa më shumë territor të jetë e mundur për të rritur presionin ndaj Ukrainës dhe për ta dëmtuar moralin e ushtarëve të saj.
Megjithatë, udhëheqësit amerikanë dhe evropianë kanë thënë se do të qëndrojnë pranë Ukrainës derisa të garantohet sovraniteti i saj.
Aleatët e Ukrainës gjithashtu vazhdimisht po i dërgojnë edhe ndihma ushtarake.
“Rusia mund t’i japë fund luftës në çdo kohë duke tërhequr forcat e saj nga Ukraina, në vend që të vazhdojë të kryejë sulme brutale kundër qyteteve, porteve dhe njerëzve të Ukrainës çdo ditë”, tha Departamenti i Shtetit në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me furnizimet me armë.