Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar reaguan ashpër ndaj njoftimit të autoriteteve të Republikës Sërpska se ky entitet do t’i dërgojë një propozim për “ndarje paqësore” entitetit të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës.
Nuk ka asnjë bazë ligjore, faktike apo racionale për thirrjet për “ndarje paqësore” të Bosnjë e Hercegovinës, njoftoi zyra e BE-së në Bosnjë e Hercegovinë, duke shtuar se thirrje të tilla nuk çojnë askund dhe krijojnë frika të papranueshme në mesin e qytetarëve.
Ambasada amerikane në Sarajevë tha se “ndarja” e Republikës Sërpska nuk nënkupton fundin e Bosnjë e Hercegovinës, por të Republikës Sërpska.
Ambasadori britanik, Julian Rielly, reagoi ngjashëm, duke shkruar në X – që më herët njihej si Twitter – se “nuk është e vërtetë që Republika Sërpska mund të shkëputet nga Bosnja dhe as që mund të ekzistojë jashtë shtetit”, por vetëm ekziston si një entitet brenda Bosnjë e Hercegovinës.
Më 23 maj, në ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, Qeveria e Republikës Sërpska tha se brenda 30 ditësh, do të shkruajë një propozim për marrëveshje, lidhur me ndarjen paqësore në Bosnjë e Hercegovinë.
“BE-ja, mes tjerash, dhe përmes EUROF-it, është e përkushtuar për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjë e Hercegovinës, dhe për të ofruar një mjedis të sigurt”, tha zyra e BE-së në Bosnje.
Blloku evropian u bëri thirrje udhëheqësve të Bosnjë e Hercegovinës “që të fokusojnë përpjekjet e tyre për të krijuar një mjedis për pajtim dhe të kryejnë reformat e nevojshme për të arritur përparim në rrugën evropiane”.
Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, pas mbledhjes së Qeverisë në këtë entitet tha se do të kërkojë mbështetjen nga udhëheqja serbe për vendimin për ndarje.
Një përpjekje për ndarjen e Republikës Sërpska do të përbënte shkelje të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe të Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës, në të cilën specifikohet statusi i të dy entiteteve. /REL