Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e quajti “mashtrim dhe përpjekje joserioze” nga Kosova njoftimin se ajo synon ta hartojë një draft-statut për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe në vend.
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të enjten në mëngjes se ia ka dërguar një letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se Kosova do ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin, për ta dorëzuar pastaj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, dhe se pret nga ai ta pranojë Kosovën si anëtaren më të re këtë javë.
Vuçiç tha në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së, që po mbahet në Kotorr, se Kosova nuk mund ta bëjë një draft-statut të tillë pa pajtimin e shtetit fqinj.
“Kush jeni ju ta dorëzoni këtë tekst draft-statut? Marrëveshja e Brukselit është mjaft e qartë, se ai duhet të bëhet me pajtimin e Serbisë, apo nëse ne pajtohemi, siç jemi pajtuar kontekstualisht, konceptualisht dhe në parim se duhet të jetë një tekst i dorëzuar nga BE-ja”, tha Vuçiç, raporton Radio Televizioni i Serbisë (RTS).