“Shqipëria drejt plotësimit të kritereve për anëtarësim në 2027”, analisti Çupi: Reforma në drejtësi, rol kyç në progres

schedule18:27 - 16 Maj, 2024

schedule 18:27 - 16 Maj, 2024

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga samiti i Malit të Zi se Shqipëria do të jetë gati për anëtarësim në BE brenda vitit 2027. Ai tha se, në këto tre vite, do të plotësohen të gjitha detyrat e përcaktuara nga Brukseli ndërsa iu bëri thirrje liderëve të rajonit që të mos pengojnë vetveten me çështjet bilaterale.

Analisti Frrok Çupi, duke komentuar samitin e së enjtes në Kotorr, tha se ritmet tregojnë se vendi ynë do t’i plotësojë kriteret për anëtarësim në vitin 2027.

“Krahasuar me zhvillimet dhe ritmet e fundit, edhe pse periudha është e shkurtër, të krijon bindjen se ndoshta në fillimet e 2027 Shqipëria do të ketë plotësuar kriteret për anëtarësim. Vetë zhvillimi i vendit, i turizmit, kthimi i një shteti të panjohur si turizëm në një shtet turistik thuajse të dorës së parë, është një sinjal që dëshmon se gjithçka mund të kryhet me ritme të shpejta, aq më shumë me suportin e BE-së dhe që e shpalli në samitin e Kotorrit. Është një samit i rëndësishëm, që shkon në themelet e vetë Evropës. Evropa është themeluar si një treg i përbashkët. Evropa ishte aq e sinqertë me këtë rast, u detyrua të jetë kaq e hapur me Ballkanin sa që e futi te thesari i vet marrëveshjet për financat dhe tregut. Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor me siguri së bashku kanë për synim të kthehen jo në një diskurs të gjatë politik nacionalist por në një diskutim tregtar që Evropa të pranojë Ballkanin Perëndimor. Rezervat e tregut në këtë cep të botës janë shumë të mëdha, duke pasur parasysh rezervat nëntokësore, ujore, turistike dhe rezervat njerëzore.”, tha Çupi.

Duke u ndalur te deklarata e kryeministrit se shumica e detyrave për Shqipërinë kanë qenë të lidhura me reformën në drejtësi, të cilat janë plotësuar, analisti shtoi:

Po kthehemi te një diskutim që zhvillohet mes nesh se Rama nuk e donte reformën në drejtësi. Nëse e gjithë kjo situatë nuk do të kishte filluar me reformën në drejtësi do të thotë se mazhoranca e sotme, prej 11 vitesh në pushtet, nuk do të kishte qeverisur. Ne do të ishim përsëri në vitin 2012, në një situatë ku as qeveria, as Evropa dhe Ballkani nuk do të funksiononte pa këtë stad drejtësie. Siç po vë re Perëndimi, reforma në drejtësi ka ecur, është zhvilluar mirë. Është ngritur një prokurori dhe gjykatë e posaçme që sipas vlerësimeve të Amerikës janë një flori për vendin dhe drejtësia është paralelja e pandashme që ecën bashkë me zhvillimin. Asnjë zhvillim në ekonomi, sidomos në një vend që vjen nga një korrupsion i tmerrshëm, tashmë asgjë në ekonomi nuk ndodh nëse nuk është në syrin e drejtësisë. Po ndodh ajo që kemi kërkuar, që çdo gjë të zhvillohet me një sy të drejtësisë te ekonomia. Kjo është garancia që ne nuk humbasim asgjë rrugës, nuk shkon asgjë dëm dhe po të mos shkojë asgjë dëm, sot do të ishte vend më i zhvilluar dhe duke i përdorur të gjitha energjitë tona shumë mirë, do të thotë se 2027 bashkë me drejtësinë. Sot vendi ndodhet edhe në një zhvillim teknologjik të mirë.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!