“Jemi Europa e Ballkanit”, Rama: Shqipëria në 2030 duhet të jetë gati për t’u ulur në tryezën e familjes së bashkuar

schedule15:06 - 16 Maj, 2024

schedule 15:06 - 16 Maj, 2024

Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me gazetarët pas përfundimit të Samitit të mbajtur në Malin e Zi, foli edhe për procesin drejt rrugës europiane.

I pyetur lidhur me deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili është shprehur pesimist dhe se sipas tij, anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të zgjasë më shumë vite, dhe se Ukraina mund të anëtarësohet më herët, Rama tha Shqipëria nuk është Serbia, duke shtuar se Shqipëria është Europa e Ballkanit.

-Ju e dëgjuat deklaratën e presidentit Vuçiç, i cili ndoshta është më pesimist se ju, që tha se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të zgjasë 5 ose më shumë vite dhe Ukraina do të anëtarësohet më herët. Ishte një deklaratë emocionale kjo apo një qëndrim politik i presidentit Vuçiç dhe si e shikoni ju këtë?

Kryeministri Edi Rama: Tani që presidenti i Serbisë dhe Serbia të jetë më pesimiste se ne dhe se Shqipëria, kjo është gjëja më normale. Ne nuk jemi Serbia, ne jemi Europa e Ballkanit dhe ne jemi Shqipëria që me të drejtën e Zotit edhe me të drejtën e popullit shqiptar kërkon të ulet në tryezën e Bashkimit Europian dhe ndërkohë për këtë po punojmë në mënyrë të përditshme dhe me fiksimin që Shqipëria e 2030 të jetë gati për t’u ulur në tryezën e familjes së bashkuar europiane.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!