Inter duhet të përforcohet në merkaton e janarit. Ky është mendimi i trajnerit Antonio Conte dhe ai i ka thënë klubit, që duhet të vihet në lëvizje. Tekniku italian e ka vënë në dukje faktin që ka pak alternativa dhe po luan me një grup të cunguar lojtarësh, që normalisht nisin dhe e ndjejnë lodhjen dhe rendimenti bie.
Gazzetta dello Sport zbulon edhe kërkesat e Contes, i cili kërkon një sulmues me eksperiencë që të zëvendësojë në raste të caktuara belgun Romelo Lukaku, një mesfushor të fortë për në qendër të mesfushës dhe një anësor që të mund të luajë në të dy linjat.
Paratë për të bërë lëvizjet në merkaton e janarit mendohet të sigurohen nga shitja e Gabigol, i cili do të sillte 25-30 milionë euro. Braziliani po shkëlqen me Flamengon dhe në klubin zikaltër mendojnë vetëm të përfitojnë financiarisht, pasi nuk e kanë në plan ta kthejnë pas sulmuesin. /abcnews.al