“Nuk kishte të majtë e të djathtë”/ Përfaqësuesi i diasporës në Greqi: Demokratë të flaktë në takimin e Ramës thoshin që…

schedule22:36 - 13 Maj, 2024

schedule 22:36 - 13 Maj, 2024

Etmond Guri, përfaqësues i diasporës shqiptare në Greqi, thotë se takimi i kryeministrit Edi Rama të dielën në Greqi, bëri bashkë të majtë e të djathtë. Në një lidhje live për emisionin “360 gradë” në ABC News, ai tha se ka parë demokratë të flaktë, që kishin ardhur me fëmijët e tyre në takim.

Mes të tjerash, Guri tregoi edhe përjetimet e emigrantëve shqiptarë atje në lidhje me mënyrën se si e trajtoi Greqia çështjen e Fredi Belerit.

“U doli mllefi, brenga dhe mungesa e një akti të një përfaqësuesi të lartë të shtetit shqiptar, që të vinte dhe të shikonte, e të thoshte dy fjalë. Për 34 vjet është krijuar një kohezion negativ në Greqi që shqiptarët lidhen me njerëz që janë të dytë apo të tretë. Kjo është rrënjosur te opinioni në Greqi. Për një vit rresht rasti Beleri është bërë tema numër 1. U përdor në fushatë nga Mitsotakis në masë. Më ka habitur fakti që kam përjetuar me të gjithë bashkëatdhetarët e mi, të cilët thoshin se edhe po të kishte fshesë, do të mbrojmë vendimin e drejtësisë shqiptare.

Edhe po të kishte fshesa, nuk do të bëheshim pishman të na kthenin në mëmëdhe lidhur me rastin Beleri. Mënyra se si u trajtua, se si u ushqye opinioni, edhe njëherë iu ktheu shqiptarëve të gjithë ato vuajtje që sot Greqia ka bërë një vend shurdh dhe një sy qorr. Njëanshmëria e përcjelljes së lajmit në Greqi, bëri që brezi i dytë, të kërcejë valle shqiptare. Duke dëgjuar historitë e prindërve të tyre, kanë filluar të njohin një realitet tjetër. Të dielën nuk kishte as të majtë dhe të djathtë. Unë kam parë demokratë të flaktë me fëmijë dhe flamuj në krah dhe thoshin se do të shikojmë kryeministrin tonë. Ka pasur një grup në rrugë, diku te 20 veta, për çështje politike, të gjithë janë përbuzur.“, tha Guri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!