Asambleja e Përgjithshme mbështet përpjekjet e palestinezëve për anëtarësim në OKB

schedule21:18 - 10 Maj, 2024

schedule 21:18 - 10 Maj, 2024

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 maj votoi për t’i ofruar “të drejta dhe privilegje të reja” palestinezëve dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të shqyrtojë, në mënyrë të favorshme, kërkesën e palestinezëve që të bëhen anëtarët e 194-të të OKB-së.

Institucioni prej 193 anëtarësh miratoi rezolutën e sponsorizuar nga arabët dhe palestinezët me 143 vota për, nëntë kundër dhe 25 abstenime.

Shtetet e Bashkuara vendosën veto ndaj një rezolute të mbështetur nga Këshilli më 18 prill. Ajo rezolutë do t’i hapte rrugë anëtarësimit të plotë të palestinezëve në OKB, një qëllim i kamotshëm i tyre, të cilin Izraeli ka punuar që ta pengojë.

Zëvendësambasadori i SHBA-së, Robert Wood, e bëri të qartë një ditë më herët se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, kundërshton rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme.

SHBA-ja ishte në mesin e nëntë shteteve, së bashku me Izraelin, që votuan kundër.

“Ne kemi thënë që nga fillimi që mënyra më e mirë për një anëtarësim të plotë të palestinezëve në OKB është përmes negociatave me Izraelin dhe ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë”, deklaroi Wood më 9 maj.

Sipas Kartës së OKB-së, anëtarët e mundshëm të kësaj organizate duhet të jenë “paqedashës” dhe Këshilli i Sigurimit duhet të rekomandojë pranimin e tyre tek Asambleja e Përgjithshme për vendim final. Palestinezët janë vëzhgues joanëtar të OKB-së që nga viti 2012.

Rezoluta “përcakton” se shteti i Palestinës kualifikohet për anëtarësim, duke i rekomanduar Këshillit të Sigurimit që ta shqyrtojë kërkesën “në mënyrë të favorshme”. Nga teksti i rezolutës është hequr formulimi origjinal, ku përmendej termi “shtet paqedashës”.

Përpjekjet e reja për anëtarësimin e plotë të palestinezëve po bëhen teksa në Gazë po vazhdon lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Drafti origjinal i rezolutës së Asamblesë ka pësuar ndryshime të mëdha në mënyrë që të adresohen shqetësimet e ngritura jo vetëm nga SHBA-ja, por edhe nga Rusia e Kina, thanë diplomatët perëndimorë.

Sipas diplomatëve, të cilët folën në kushte anonimiteti, Rusia dhe Kina, që janë mbështetëse të fuqishme të anëtarësimit të palestinezëve në OKB, kanë shprehur shqetësime për një listë të drejtash dhe privilegjesh që janë vendosur në aneksin e rezolutës, që mund të vendosë një precedent për shtetet e tjera që duan të bëhen pjesë e OKB-së. Rusia ka shprehur shqetësime për Kosovën, ndërkaq Kina për Tajvanin.

Lista finale e të drejtave dhe privilegjeve, që janë në draft-aneksin, i mundëson palestinezëve që të flasin për të gjitha çështjet jo vetëm ato që kanë të bëjnë me ta dhe Lindjen e Mesme, të drejtën për të propozuar tema për t’u futur në agjendë, replika gjatë debateve, të drejtën e zgjedhjes së zyrtarëve për komitetet kyçe të Asamblesë. Po ashtu, aty parashihet e drejta që palestinezët të marrin pjesë në konferencat e OKB-së dhe ato ndërkombëtare që organizohen nga OKB-ja, megjithatë ata nuk do të kenë të drejtë vote. E drejta e votës ishte paraparë në draftin fillestar.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, dorëzoi për herë të parë aplikimin për anëtarësim në OKB më 2011. Por, kërkesa nuk kaloi pasi nuk mori mbështetjen e të paktën nëntë prej 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit.

Palestinezët më pas iu drejtuan Asamblesë së Përgjithshme, ku morën mbështetjen e mbi dy të tretave ngritën statusin e tyre nga vëzhgues në shtet vëzhgues joanëtar. /REL