Quajeni ndeshja perfekte, apo një mbrëmje magjike. Është ajo që i nevojitet Romës për të përmbysur disavantazhin 2-0 të sfidës së parë me Bayer Leverkusen. Dhe për të arritur finalen e Europa League.
Do të duhet vërtet një mrekulli edhe për faktin se “Aspirinat” regjistrojnë zero humbje këtë sezon. 48 ndeshje radhazi pozitive për kampionët e Gjermanisë.
Daniele De Rossi gjithsesi nuk dorëzohet. Të paktën jo pa e provuar deri në fund.
“Do të duhet ndeshja perfekte. Për t’ia dalë kemi nevojë për forcë psikologjike, pak durim dhe shumë vëmendje. Nuk na lejohet të gabojmë, nuk mund të gabojmë asgjë. Në këto nivele gabimet paguhen.
E bukura është që ndeshja e parë nuk ishte një finale. Kemi ende mundësi për të rikuperuar. Por është shansi i fundit për ta provuar.
Duhet të jemi perfektë kundër një skuadre që nuk ka humbur kurrë. As ndaj Bayernit apo Dortmundit. Që eliminoi PSG-në dhe është në finalen e Championsit”.
Për trajnerin është momenti i zgjedhjeve. Mes Leverkusenit dhe transfertës në Bergamo. Të dielën e ardhshme kundër Atalantës.
“Askush nuk do të ruhet për ndeshjen në Bergamo. Vlerësimet do t’i bëjmë bashkë duke patur parasysh këtë sfidë që kemi para”.
Është e qartë se mendimi i parë shkon për Paulo Dybala. Me shumë mundësi do të jetë në pankinë.
“Dua të flas si me të dhe me stafin mjekësor. Me siguri që nuk do të bëjmë rotacion për ndeshjen e së dielës. Kjo sfidë është shumë e rëndësishme.
Gjermanët? Ata ndërtojnë shumë dhe pësojnë pak. Mund të bëjnë njëmijë formacione, por të njëjtën gjë mund të bëjmë dhe ne. Dhe jemi këtu për të bërë rezultat”, u shpreh tekniku roman./ h.ll/abcnews.al