Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj mbështet idenë e kreut të PR-së, Fatmir Mediu për krijimin e një Komiteti Kombëtar për Integrimin.
Në një intervistë për ABC News, Mustafaj kujton se zgjidhja për kriza të forta politike si ajo që vendi po kalon janë tejkaluar nga ndërhyrja e ish-zyrtarëve që kanë qenë jashtë politikës.
Mustafaj kujton se si ai dhe ish-ministrja Arta Dade i’a kanë detyrim shtetit kontributin për procese të rëndësishme siç është ai për integrimin europian.
Eksperiencën e tij në politikë, Besnik Mustafaj është i gatshëm ta vendosë në funksion të institucioneve shqiptare për të realizuar procese të rëndësishme si ai i integrimit europian.
Ish-ministri i Jashtëm e sheh si pozitive idenë e hedhur nga kreu i republikanëve Fatmir Mediu për krijimin e një Komiteti Kombëtar për Integrimin, duke kujtuar se ai dhe zyrtarë të tjerë ja kanë borxh vendit dhënien e kontributit.
Është i bindur se me eksperiencën që ka bashkë me ish-ministren Arta Dade do të reflektonin një konsensus jo vetëm për procesin e integrimit por edhe për politikën shqiptare e cila vijon të jetë në krizë.
Maxhorancës i kujton se një institucion i tillë vetëm do ta ndihmonte procesin e integrimit dhe kërkon që nëse një komitet i tillë do të ngrihet të jetë me mandat ligjor nga Parlamenti.
Qëndrimet e tij, Mustafaj i dha në përfundim të një ekspozite që u zhvillua në Muzen Kombëtar, ndërkohë që apeloi që kriza politike të zgjidhet vetëm përmes dialogut./abcnews.al