Policia në Sllovaki po përpiqet të gjejë se kush i ka dërguar më shumë se 1000 kërcënime me bomba në shkolla dhe institucione të tjera të martën. Ekipet policore me qen nuhatës dhe ekspertët për asgjësimin e bombave, janë thirrur vazhdimisht brenda shtetit, raporton BBC. Alarmet kanë shkaktuar evakuime masive. Zyrtarët kanë thënë se janë duke i trajtuar kërcënimet “si një krim i rëndë i sulmit terrorist”.
Emailet nga dërguesit anonimë kanë nisur në ora 05:00 të ditës së martë, duke pretenduar se eksplozivët janë vendosur në qindra shkolla, në tetë rajone të shtetit. Numri i kërcënimeve të konfirmuara është rritur vazhdimisht.
Zyrtarët nuk kanë specifikuar se çka thuhej në kërcënime. Por sipas raporteve të TV-ve sllovake, ato ishin shkruar në sllovakisht, dhe ishin dërguar nga një email adresë ruse, dhe kishin për cak, atë që autorët e kishin përshkruar si, armiket e Islamit.
Mësimet në shkolla u pezulluan pasi ekipet e specializuara hetuan alarmet. Shumica dërrmuese e ekipeve u dërguan në shkolla, por policia kombëtare e Sllovakisë njoftoi në mediat sociale se të paktën 110 banka dhe 40 dyqane morën gjithashtu kërcënimet për bomba.
Autoritetet kanë thënë se kërcënimet kishin shkaktuar stres psikologjik në të gjithë vendin, duke shtuar se ndërprerja e shërbimeve arsimore mund të kishte “pasoja të gjera”.