“Respektojmë mendimin ndryshe, por..”, Veliaj për protestat te Bashkia: Fyerje për PD, fshihet pas fustanit të Aleancës për Teatrin

schedule20:16 - 6 Maj, 2024

schedule 20:16 - 6 Maj, 2024

TIRANË- Në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, kreu i bashkisë së Tiranës, komentoi protestat e dhunshme përpara institucionit që ai drejton.

Veliaj u shpreh se PD fshihet pas Aleancës për Teatrin duke sulmuar me molotov një godinë që është vërtet monument kulture sikurse godina e Bashkisë së Tiranës.

“Një parti si PD, që nuk ka patur kurrë komplekse, fshihet pas fustanit të Aleancës për Teatrin, kjo është një fyerje e madhe. Dhe të thuash që je për monumentet e kulturës dhe je gati që të djegësh një monument kulture, se Teatri nuk ishte as në kohën e Saliut as në kohën tonë monument kulture, Bashkia e Tiranës është pjesë e kompleksit dhe është monument kulture. Kur ti i hedh molotov një monumenti kulture do të thotë se po djeg edhe fustanin pas së cilës je fshehur, që është Aleanca për Teatrin”, shtoi ai.

Pjesë nga intervista

Kryebashkiaku Erion Veliaj: Në finale, unë besoj që veprat do mbeten. Ajo që kemi bërë, kjo Piramida këtu, do mbetet, ai sheshi atje do mbetet, ai bulevardi atje do mbetet, Astiri do mbetet, të 40 shkollat do mbeten të 101 kopshtet dhe çerdhet do mbeten. Këto janë gjërat konkrete, për llapaqenërinë e atyre që nga divani mendojnë që do japin opinion për gjithçka por s’kanë prekur punë me dorë, nuk kanë mbjellë një pemë, nuk kanë ndihmuar një shtëpi të tërmetit, nuk kanë dhënë një pjatë supë, historia do flasë edhe për ta. Nuk do flasë mirë, por di që në finale kjo është një betejë thellësisht politike. Po afrojnë zgjedhjet e tjera, sondazhet Sali Berishën e tregojnë kovë pusi, partiçkat e tjera që kanë mbetur nga ajo Parti Demokratike e famshme, janë tretur me kohë kështu që e kuptoj hallin që i ka zënë se duhet të prodhojnë me zor një kauzë, me 50 veta me molotov. Edhe kjo është e drejtë e tyre, i tregojnë turistëve që ky është një qytet që po ecën përpara, që ka progres, që ka njerëz që punojnë dhe sakrifikojnë, por ka edhe njerëz që mendojnë ndryshe dhe mendimi ndryshe duhet respektuar, sigurisht jo me dhunë. Pra, një parti si PD, që nuk ka patur kurrë komplekse, fshihet pas fustanit të Aleancës për Teatrin, kjo është një fyerje e madhe. Dhe të thuash që je për monumentet e kulturës dhe je gati që të djegësh një monument kulture, se Teatri nuk ishte as në kohën e Saliut as në kohën tonë monument kulture, Bashkia e Tiranës është pjesë e kompleksit dhe është monument kulture. Kur t’i i hedh molotov një monumenti kulture do të thotë se po djeg edhe fustanin pas së cilës je fshehur, që është Aleanca për Teatrin./ abcnews.al