Pasi e mbyllën sfidën e parë të gjysëmfinaleve, të UEFA Champions League, me rezutlatin e barabartë, 2 me 2, “Bavarezët” e Bayern Munich dhe “Galaktikët” e Real Madrid do të sfidojnë sërish njëra-tjetrën, mbrëmjen e së mërkurës, ku do të vuloset përfundimisht se kush nga këto dy ekipe legjendare do të kalojë në finalen e madhe, të 1 qershorit.
Dy para kësaj sfide spektakolare, një deklaratë të shkurtër për mediat e ka bërë edhe “veterani” i sulmit të gjermanëve, Thomas Muller, i cili u shpreh se kjo përballje do të jetë e barabartë, ndërsa shtoi se skuadra e tyre duhet t’i shfrytëzojë mirë rastet që ka për të shënuar, përndryshe do jetë kundërshtari që do festojë në fund.
“Do të jetë një ndeshje e barabartë, diferenca do bëhet nga detaje të vogla. Në futboll, efektiviteti ka shumë rëndësi. Nëse arrin t’i shfrytëzosh rastet që të jepen në disa momente të caktuara fiton, përndryshe humbet. Është çështje milimetrash, ne duhet të jemi efektivë kur krijojmë mundësi shënimi”,- u shpreh sulmuesi legjendar. /i.m /abcnews.al