Sulm me raketa në vendkalimin Kerem Shalom, vriten tre ushtarë izraelitë

schedule07:26 - 6 Maj, 2024

schedule 07:26 - 6 Maj, 2024

Tre ushtarë izraelitë u vranë dhe 12 u plagosën nga raketat e lëshuara nga krahu i armatosur i Hamasit në zonën e kalimit Kerem Shalom, sipas një deklarate nga ushtria izraelite.
Kalimi Kerem Shalom është kanali kryesor për transportin e ndihmave humanitare nga Izraeli në Gaza. Ndër të plagosurit, tre ushtarë janë në gjendje të rëndë, thuhet në njoftim.

Krahu i armatosur i Hamasit tha se hodhi raketa në një bazë të ushtrisë izraelite pranë vendkalimit, por nuk konfirmoi se nga i gjuajti ato. Mediat e Hamasit cituan një burim pranë grupit të thoshte se kalimi nuk ishte objektivi.

Ushtria izraelite tha se besonte se Hamasi po synonte ushtarët e grumbulluar në kufirin e Gazës në përgatitje për një pushtim të mundshëm të Rafahut.

Menjëherë pas sulmit të Hamasit, një sulm ajror izraelit goditi një shtëpi në Rafah, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur disa të tjerë. Ushtria izraelite konfirmoi kundërsulmin, duke thënë se ai goditi në vendin nga u hodhën raketat e Hamasit si dhe një “strukturë ushtarake” aty pranë.

Izraeli është zotuar të hyjë në qytetin jugor të Gazës dhe të largojë forcat e Hamasit, por është përballur me presion në rritje pasi operacioni mund të prishë përpjekjet humanitare në Gaza dhe të rrezikojë shumë jetë të tjera

Sulmi i së dielës në vendkalimin erdhi pasi zyrtarë të lartë izraelitë shtuan presionin ndaj Hamasit për të pranuar kushtet e propozuara së fundmi për një armëpushim ose rrezikon një sulm të ri “në të ardhmen shumë të afërt”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!