Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij. Këtë vit, është renditur në vendin e 75-të nga 180 shtete nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.
Gazetari Visar Duriqi nga Insajder, në një intervistë për “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, tha se një ndër arsyet që ka ndikuar në këtë renditje është edhe ndërhyrja e qeverisë Kurti.
“Rënia drastike ka të bëjë me zhvillime që lidhen direkt me qeverinë, siç është kapja e televizionit publik. Rënia ka të bëjë edhe me sulmet e vazhdueshme të qeverisë vitin e kaluar ndaj Klan Kosovës, me tendencën për t’i hequr licencën dhe me pjesën tjetër të shtimi të numrit të padive prej zyrtarëve të qeverisë ndaj mediave”, u shpreh ai.
Ai thotë se Albin Kurti ka pasur një qasje negative ndaj medias, gjë që është shtuar me ardhjen e tij në pushtet.
“VV edhe para se të vinte në pushtet, disa herë iu kam referuar si grup terorrist online, kishte një grup të madh në të cilin kanë bërë sulme të orkestruara dhe të vazhdueshme ndaj gazetarëve dhe ndaj mediave të caktuara që nuk kanë qenë miqësore me VV. Pastaj kanë tentuar të krijojnë media të veta për të shpërndarë propagandën. Ka pasur dëme financiare në raport me median. Mediat si industri janë si të tjerat ndërsa prej që kur ka ardhur VV në qeveri ka ndaluar beneficionet e ligjshme që ka pasur media prej buxhetit publik.“, shtoi ai.