Juventusi ia doli të kualifikohej në frymën e fundit. Bardhezinjtë fituan 1-2 në Rusi përballë Lokomotiv Moscow dhe Maurizio Sarri nuk e fsheh lumturinë e tij. Një kryevepër e Douglas Costës në minutat shtesë i dhuroi kualifikimin e parakohshëm kampionëve të Italisë, teksa trajneri zgjodhi këto fjalë për Sky Sport pas këtij suksesi.
“Nuk ishte një nga ndeshjet tona më të mira, në pjesën e parë ishim shumë të zgjatur si ekip, ndërsa në të dytën na mungoi shpejtësia në qarkullimin e topit. Më pëlqeu shumë karakteri i skuadrës. Djemtë dëshironin fitoren me çdo kusht dhe ia dolën falë kombinimit të Douglas Costës me Higuain. Nuk është pak të kualifikohesh me dy ndeshje të mbetura.
Zëvendësimi i Ronaldos? Cristiano ishte i acaruar që në pushim. Një problem në gju e ka lodhur këto ditë dhe ky është shkaku pse u mërzit gjatë zëvendësimit. Në një moment nisi një inkursion dhe u tremba mos dëmtohej, prandaj e zëvendësova“, përfundon trajneri i Juventusit. /abcnews.al