Biden për protestat universitare: Pro të drejtës për të protestuar, jo kaosit

schedule18:28 - 2 Maj, 2024

schedule 18:28 - 2 Maj, 2024

Liria e fjalës dhe sundimi i ligjit duhet të respektohen në protestat universitare kundër luftës në Gaza, theksoi të enjten presidenti amerikan Joe Biden.

“Ne nuk jemi një shtet autoritar që u mbyll gojën njerëzve dhe shtyp disidencën. Por ne nuk jemi as një vend anarkik. Ne jemi shoqëri civile. Dhe rendi duhet të mbizotërojë”, tha presidenti amerikan.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, Biden tha se protestat në kampuset e kolegjeve nuk e kishin detyruar atë të rishqyrtonte politikën e tij në Lindjen e Mesme.

Qytetarët amerikanë kanë të drejtë të protestojnë, të dëgjohen, por ligji duhet të respektohet dhe ata nuk kanë të drejtë të shkaktojnë kaos, këmbënguli ai. Shkatërrimi i pronës, kërcënimi i njerëzve të tjerë nuk është një protestë paqësore, vazhdoi ai, duke theksuar se ka të drejtë për të protestuar, por jo edhe për të shkaktuar kaos.

Biden theksoi gjithashtu se antisemitizmi nuk ka vend as në universitete dhe as në Amerikë.

I pyetur nëse Garda Kombëtare duhet të ndërhyjë për të shtypur protestat, ai është përgjigjur thjesht “jo”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!