Gjermania ka bërë thirrje për integrimin sa më shpejt të Ballkanit Perëndimor në BE. Ndërsa blloku shënon 20 vjetorin e zgjerimit të tij me 10 vende në 2004, Berlini rendit rreziqet e mundshme me te cilat mund të përballët kontinenti ne rast se Ballkani vazhdon të mbetet një “zonë gri”.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, permes një deklaratë theksoi se ky rajon mund të “preket” nga ndikimi i Rusise, nëse nuk bëhet pjesë e unionit europian.
“Zonat gri” politike dhe gjeografike në Ballkan ose në lindje të BE-së janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Ne e dimë nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës: Zgjerimi i BE-së sonë sot është një domosdoshmëri gjeopolitike.
Ne nuk mund të përballojmë zona të tilla gri, sepse për presidentin rus Vladimir Putin ato janë një ftesë për të ndërhyrë, për të destabilizuar”, tha ajo.
Ministrja e Jashtme gjermane theksoi edhe Ukrainen si nje objektiv ku duhet të jetë vëmendja e Unionit.
“Si Bashkimi Europian, ne po mbrojmë vlerat dhe sigurinë tonë së bashku me miqtë dhe aleatët dhe po qëndrojmë fort në krah të Ukrainës, në krah të një vendi që, për më shumë se dy vjet, ka bërë sakrificat më të mëdha për një të ardhme në liri dhe demokraci dhe që tani vetë po bën hapa të mëdhenj drejt anëtarësimit në BE, theksoi.
Më anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, sipas ministres se Jashtme gjermane, Bashkimi Europian do të bëhet edhe më i fortë.
“Ne nuk mund të lejojmë edhe një herë të bëjmë një brez të tërë të ulet në dhomën e pritjes së BE-së, si në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ne nuk duhet të humbasim mundësinë për ta bërë Bashkimin tonë më të madh dhe më të fortë dhe për këtë arsye edhe më të sigurt. Unioni ynë i paqes dhe lirisë është i hapur për anëtarë të rinj.
/abcnews.al