Tajvani ka thënë se 12 avionë ushtarakë të Kinës janë futur në territorin e saj duke e kaluar kufirin e ndjeshëm të Ngushticës së Tajvanit të shtunën, vetëm një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e përfundoi një vizitë në Pekin.
Amerika është mbështetësja më e rëndësishme ndërkombëtare dhe furnizuesja me armë e Tajvanit, pavarësisht se këto dy vende nuk kanë marrëdhënie diplomatike.
Blinken tha se gjatë vizitës në Kinë e theksoi “rëndësinë jetike” për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit përgjatë Ngushticës së Tajvanit.
Tajvani demokratik është përballur me trysni të madhe ushtarake nga Kina, sepse ajo cilëson këtë ishull si pjesë të territorit të vet. Qeveria e Tajvanit i kundërshton këto pretendime.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se i vërejti mëngjesin e së shtunës 22 avionë ushtarakë kinezë, përfshirë avionë Su-30, prej të cilëve 12 e kaluan vijën kufitare verior dhe qendror të Tajvanit.
Kjo vijë dikur shërbente si kufi jozyrtar mes këtyre dy vendeve, mbi të cilën nuk kalonte ushtria e asnjërës palë, por tani forcat ajrore kineze dërgojnë avionë luftarakë përtej saj rregullisht.
Kina thotë se nuk e njeh një vijë të tillë kufitare.
Forcat e Armatosura të Tajvanit janë të pajisura dhe të trajnuara mirë, por ato të Kinës janë më të forta, posaçërisht marina dhe forcat ajrore, të cilat u përgjigjen pothuajse përditë misioneve kineze.
Kina e konsideron Tajvanin si çështjen më të rëndësishme në marrëdhëniet e veta me Shtetet e Bashkuara, dhe i ka kërkuar vazhdimisht Uashingtonit të mos i shesë më armë Tajvanit./rel