Me shtimin e sëmundshmërisë pas pandemisë së Covid 19, janë dyfishuar dhe kërkesat për teste gjenetike. Çifte të reja para se të bëhen prindër, gra gjatë shtëzanisë, por dhe persona që kanë familjarë me sëmundje të trashëgueshme po i nënshtrohen analizave të tilla për të mësuar rreth shëndetit të tyre apo të fetusit.
“Kemi dyfishim të rasteve që kërkojnë teste gjenetike edhe më shumë mund të them. Sidomos pas pandemisë kemi një kërkesë në rritje të këtyre diagnozave në nivel ADN. Po ta ndalim vetëm tek çiftet e reja ata duan të zbulojnë anomalitë kromozomike që mund të mbartë fetusi gjatë shtatëzënisë, trizomi, sindroma të ndryshme që nuk janë të trashëguara, por që lidhen me moshën e gruas e të çiftit. Këto janë si kërkesa më të larta. Ndërkohë vijnë jo vetëm në maternitet, por dhe në QSUT ka kërkesa për të diagonostikuar në nivel molekular sëmundje që i konsiderojnë të rralla ose komplekse, këtu futet dhe diabeti, sëmundjet neurodegjenerative, kancera, kemi mjekë që referojnë raste të shtuara”, u shpreh Merita Xhetani, profesore e gjenetikës, Universiteti i Shkencave të Natyrës.
Diagnoza molekulare ndihmon në zbulimin e hershëm të sëmundjes. Arsye kjo që mjekët gjenetistë kerkojnë futjen e testeve gjenetike me metoda të avancuara në protokollet rutinë të mjekëve për çiftet dhe ata që kanë histori familjare.
“Do të ishte e udhës që këto laborator të implementojnë këto lloj ekzaminimesh por në nivel jo invaziv, në një farë mënyre skrinim. Kërkon kosto, por është moment që mund ta suportojmë se kërkesat janë në rritje, nëse kjo suportohet jemi një hap për të bërë për ta futur në protokoll për ta bërë të lirë e të rimbursuar për çiftet e reja”.
Sëmundjet gjenetike që testohen dhe zbulohen më shumë në popullsinë shqiptare sipas mjekëve janë kanceri i gjirit, talasemitë, fibroza cistike, shurdhësia e sindroma down./abcnews.al