“Duam të thyejmë ‘kështjellat’ e monopolit etnik”/ Osmani për rrezikun rus në RMV: Interesi kryesor, të ndërpresë integrimin e Ballkanit në BE!

schedule20:33 - 25 Prill, 2024

schedule 20:33 - 25 Prill, 2024

Shqiptarët dolën të përçarë në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Nëse do te kishin hyrë të bashkuar, sipas votave të marra nga dy koalicionet shqiptare, ata do të mund të kishin nxjerre kandidatin e tyre të përbashkët në balotazh me Siljanovsken e VMRO-DPMNE.

Ish-kandidati për President në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News u pyet lidhur me rrezikun rus në RMV.

Osmani u shpreh se interesi rus është që të ndërpritet rruga integruese europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Në interesin rus është të ndërpritet rruga integruese europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Të gjithë ata që e ndihmojnë këtë ide janë lojtarë të interesit rus. Unë e kam thënë gjithmonë nëse fiton Rusia në Ukrainë, atëherë do të shohim edhe pika të tjerë për ndikim rus. Interes kryesor i Rusisë është të defokusojë Perëndimin nga ndihma në Ukrainë. Dhe në Ballkan do të kishin dashur të krijojë destabizilim. Unë kam shpallur 17 diplomatë rusë si persona non-grata. Pra edhe nëse VMRO/DPMNE pengon integrimin europian, atëherë bën lojë ruse. Mos flas për kandidatë të tjerë që kanë folur hapur për interesin rus kundër NATO-s dhe BE”, ka thënë ai.

Pyetje: Në raundin e dytë do të votoni për Pendarovskin?

Bujar Osmani: Qëllimi ka qenë të normalizojmë pozicionet. Tani kemi kryetar Kuvendi maqedonas dhe shqiptarët nuk e kontestojnë se ishte njëherë shqiptar. Kjo duhet të ndryshojë. Ne duam të thyejmë kështjellat e monopolit etnik. Këto nuk janë teza nacionaliste, por promovim për mundësi të barabarta. Prej 20 vitesh kemi lutur partitë e vogla të bëhen bashkë. Tani ata janë përcaktuar që shqiptarët të jenë gardianë të interesit të tyre.

Ju vetë si ish pjesëmarrës në këtë garë dhe partia dhe koalicioni, i bëni thirrje që të votojnë Pendarovskin në raundin e dytë?

Bujar Osmani: Jemi duke bërë analizat e rezultateve zgjedhore. Ende nuk kemi mbërritur tek kjo. Është shumë herët për këto qëndrime. Dua të them që tani Fronti duhet të fuqizohet sepse është e vetmja mënyrë për të ruajtur një balancë.

/abcnews.al/