“Marrëveshje me Zvicrën për emergjencat shëndetësore”, Koçiu: Po punojmë për listën e re të barnave të rimbursueshme për 2024

schedule12:49 - 24 Prill, 2024

schedule 12:49 - 24 Prill, 2024

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një prononcim për mediat pas mbledhjes së këshillit të ministrave tha se është miratuar marrëveshja e bashkëpunimit me qeverinë zvicerane për emergjencat shëndetësore.

“Sot miratuam marrëveshjen e bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe zviceriane, e cila do të asistojë strukturat e shëndetësisë sa i përket reagimit ndaj emergjencave shëndetësore. Marrëveshje që do të zgjasë për 4 vite, do të asistojë forcimin e strukturave shëndetësore për t’ju përgjigjur emergjencave dhe do të rrisë kapacitetet e profesionistëve në fushën e shëndetësisë. E rëndësishme është gjithashtu të theksohet se përveç gjithë konsolidimit dhe strukturave, është edhe përfshirja e komuniteteve dhe roli që duket të kenë në rast të emergjencave.” u shpreh ministrja.

Ministrja u pyet edhe për barnat e rimbursueshme, teksa tha se po punohet për listën e re për vitin 2024.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së bashku me fondin e sigurimit të detyrueshëm janë duke punuar për të sjellë listën e re për barnat e rimbursueshme për 2024. Strukturat përkatëse janë duke bërë të gjitha kalkulimet e nevojshme pas sjelljes së ofertave e të kompanive farmaceutike për të adresuar problematikat për mungesën e disa barnave të caktuara dhe për t’i ardhur në ndihmë popullatës me barna të rimbursueshme, të domosdoshme për kujdesin shëndetësor. Qëllimi është të pasurojmë listën e barnave të rimbursueshme. Procesi do të përfundojë shpejt, çdo gjë është në menaxhim nëpërmjet strukturave të përbashkëta.”, shtoi ministrja.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!