Të mërkurën, zhvillohen zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Votuesit do të mund të zgjedhin mes shtatë kandidatëve për president, dy prej të cilëve janë kandidatë shqiptarë.
Kandidatët janë: presidenti aktual Stevo Pendarovski i mbështetur nga LSDM, Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE, Bujar Osmani nga Fronti Evropian, Arben Taravari nga koalicioni VLEN, Biljana Vakovska e mbështetur nga e Majta, Maxim Dimitrievski ZNAM dhe Stevço Jakimovski nga GROM.
Gazetarja Linda Karadaku raporton nga Maqedonia e Veriut se koalicioni Fronti Evropian që garon me Bujar Osmanin pritet të sigurojë deri në 5 mandate më shumë në parlament, me votat që mund të marrë nga pakicat boshnjake, turke, rome, me të cilat Ali Ahmeti, që udhëheq koalicionin, ka bashkëpunuar.
“Në garë 7 kandidatë në garë, dy prej të cilëve shqiptar. Bujar Osmani, i cili garon nga Fronti Evropian të udhëhequr nga Ali Ahmeti, i cili ka krijuar një koalicion ku ka përfshirë pakicat kombëtare, boshnjakë, turq, romë, që pritet t’i sjellë deri në pesë deputetë më shumë në zgjedhjet parlamentare më 8 Maj dhe një numër të konsiderueshëm votash në votimet e nesërme. Arben Taravari kandidat i koalicionit Vlen dhe mbështetet nga Albin Kurti”, u shpreh gazetarja.
E pyetur për rëndësinë e votës së shqiptarëve dhe mundësinë që të fitojë një kandidat shqiptar, ajo tha:
“Idealja do të ishte që vota e shqiptarëve të kishte qenë e unifikuar dhe jo e ndarë në dy blloqe. Më pas blloku shqiptar do të negocionte për një president shqiptar me cilëndo parti që do të fitonte në mënyrë që presidenti të zgjidhet në parlament dhe kjo është mundësia e vetme”, tha ajo./abcnews.al