Lëvizjet “dëshpëruese” të Metës/ Çupi: E ka kuptuar se nuk ka më parti, vajtja poshtë ballkonit të Berishës tregon se…

schedule17:34 - 22 Prill, 2024

schedule 17:34 - 22 Prill, 2024

TIRANË– Analisti Frrok Çupi, i ftuar në “News Line” në ABC News ka analizuar gjendjen e opozitës në Shqipëri, duke e vënë theksin tek Partia e Lirisë, që drejtohet nga Ilir Meta. Ai tha se Ilir Meta e ka kuptuar shumë mirë se nuk ka më parti, por shtoi se ai është  “njeri dhelparak”.

Kreu i PL-së ka paralajmëruar se do të shkojë poshtë Ballkonit të Berishës, ndërsa shtoi se prezenca e tij atje duhet parë sa vijon:

“Ajo që po ndodh me partinë e Metës, e ka kuptuar shumë mirë se nuk ka parti. Përfundimisht e zgjidh me vajtjen poshtë Ballkonit. Ai është dhelparak. Një parti që është kthyer në një gjë të dëmshme dhe toksike. Ai shkon poshtë ballkonit dhe tenton edhe atë grupim të paktë të Berishës, t’ua uzurpojë, shkon poshtë ballkonit për të marrë jo për të dhënë”, tha ai.

Sipas tij, këto janë lëvizje të dëshpëruara, të cilat ngjajnë me ato lëvizjet e të burgosurve në korridoret e burgjeve.

“Do të shkojë Iliri atje, që do të thotë se e kam gjetur pasardhësin, Ilirin plus të bijën.  Është një lëvizje e dëshpëruar, është një lëvizje e njëjtë si në korridoret e burgut, që çdo i burgosur shkon tek i burgosuri që njeh. Ata thjesht ndajnë fatin së bashku. Sot për sot ofrojnë zhurmën, zëra, ofrojnë ekrane, mbledhje. I keni parë si djersinin në mbledhje me kravata. Ky i thotë të tjerëve se ka elitë në mbledhjen e vet.”, tha ai.

Analisti Çupi theksoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ka shumë gjasë që të zhvillohen pa dyshen politike Berisha-Meta.

“Zgjedhjet e 2025 pa Berishën dhe Metën”, tha ai.

Këngën që Ilir Meta ka nisur të këndojë për Sali Berishën, ish-kryeministri, i cili mbahet i izoluar në shtëpi me vendim të Gjykatës së Posaçme për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, Çupi e analizon kështu:

“Ky Meta i thotë legjendar atij dhe ka thënë se ky që shembi muret e Serbisë quhet Sali Berisha. Në momentin që nuk ke asgjë dhe je në humnerë, edhe psikologët e mëdhenj e kanë thënë se njeriu thërret dhe ky është një mjerim i madh jo vetëm psikologjik, por edhe politik. Është një kambanë që duhet të lexohet mirë nga votuesit, se kë votojnë dhe çfarë dëgjojnë. Ata duhet të dëgjojnë realitetin dhe të vërtetën.”, u shpreh ai./n.m.abcnews.al