“Qeveritë po përdorin mediat sociale për të sabotuar vetë zgjedhjet dhe për të monitoruar shtetasit e tyre”, kështu shprehet Allie Funk, bashkëautore e raportit të titulluar “Liria në rrjet 2019”(“Freedom on the Net 2019”).
Organizata me seli në SHBA që vëzhgon demokracinë dhe liritë ka publikuar raportin më të fundit, e cila vendos theksin, se si qeveritë po përpiqen të përdorin mediat sociale.
“Zbuluam se faktorët vendas, qofshin qeveritë apo politikanët që kërkojnë të rizgjidhen – realisht përdorin internetin për të sabotuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme në vendin e tyre”, shprehet Funk.
Raporti thotë se mjeti i përdorur më gjerësisht është shpërndarja e dezinformimit nga politikanët e së djathtës së largët. “Nuk e di nëse të gjithë e kuptuan se sa shpejt qeveritë do ta përdornin këtë kundër nesh”, thotë zonja Funk.
Por, përpjekjet e qeverive për të shtypur lirinë në internet mund t’iu kthehen kundër. Kësaj vere në Rusi, pasi Kremlini goditi kandidatët politikë të opozitës, protestuesit anti-qeveri përdorën mediat sociale për t’u organizuar.
“Protestuesit ishin plotësisht të ndërgjegjshëm se qeveria po i vëzhgonte apo survejonte, prandaj filluan të përdornin fjalë të koduara për lëvizje të ndryshme protestash, si dhe filluan të organizoheshin në këto platforma për t’u siguruar ndihmën administrative, ushqime dhe ujë protestuesve të tjerë”, thekson Funk.
Ky raport i përvitshëm hartuar nga organizata Freedom House vë në dukje se liria në internet krahasuar me vitin 2009 po pëson rënie./abcnews.al