Në atë që mund të konsiderohej si ndeshja e javës së 30-të në Albi Mall Superliga, të Kosovës, Ballkani i Ilir Dajës ia doli vetëm në fund të shmangte disfatën ndaj Dritës në “shtëpi” me ndeshjen që u mbyll në barazimin 2-2, me kampionët “Dardanë” në fuqi, që e panë veten dy herë në disavantazh në fraksionin e dytë, por po kaq herë ia dolën të rikthenin baraspeshën.
Llogaritë e sfidës u hapën në minutën e 50′-të nga Krasniqi, teksa reagimi i vendasve erdhi vetëm katër minuta më pas me Halilin, gjithsesi, miqtë kaluan sërish në avantazh me anë të Hurglicës në minutën e 89′-të dhe u duk se do të dilnin me tre pikë të plota, mirëpo, në limite, saktësisht në të 96′-tën, Gripshi barazoi në 2-2 duke i dhuruar djemve të Dajës, një pikë shumë të rëndësishme, pasi Ballkani mbetet në krye me 60 pikë, ndërsa Drita mban vendin e dytë me vetëm dy pikë më pak.
Në ndeshjet e tjera, Gjilani barazoi 1-1 në shtëpi me Feronikelin, me vendasit kaluan të parët në avantazh me Jarovic, por u barazuan nga goli i Zoungrana, teksa pas këtij barazimi, Gjilani mban vendin e shtatë me 33 pikë, ndërsa Feronikeli mbetet në vendin e tetë me 30. Po në barazim, u mbyll edhe ndeshja mes Lirisë dhe Dukagjinit ku në këtë rast, 90 minutat prodhuan vetëm një barazim 0-0.