Një 46-vjeçar i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje në banesë është arrestuar këtë të enjte në Shkodër. Në kuadër të operacionit të koduar “Double”, ra në prangat e policisë, shtetasi Nik Lami.
Nga kontrollet policore në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri, 2 armë gjahu, 5 radio marrëse-dhënëse, një palë dylbi dhe një sasi municioni luftarak, sende që posedoheshin në mënyrë të kundërligjshme. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim për vepren penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë viteve të fundit, ka kultivuar bimë narkotike, në fshatrat Pult, Xhan dhe Alavana.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.