Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço komentoi edhe akuzat e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj drejtuesit të SPAK, Altin Dumani. I pyetur nga gazetarja Viol Xhafaj, Karamuço tha se reagimi i Metës ka kaluar kufirin e normalitetit dhe tregon një çrregullim psiko-emocional.
“Unë e kam thënë që këto janë të pritshme sepse niveli i presionit po shkon shumë lart. Ata që s’e kishin menduar se mund të prekeshin nga hetime të thelluara dhe serioze, tashmë janë në zonën e rreptësisë për t’u ngritur dhe akuzë. Kështu që reagimi i tyre, edhe pse ka kaluar formatin e një reagimi normal, siç mund t’i përkiste një ish presidenti, ish kryetari parlamenti dhe ish kryeministri ka kaluar në çrregullime të mëdha psiko-emocionale të hakërimit, të shantazhit, të shpifjeve, fyerjeve për shkak të detyrës, që përbëjnë vepra penale.
Aty nuk është Altin Dumani, janë pothuajse 20 prokurorë. Një institucion që mbështetet nga një popull i tërë, i cili kërkon drejtësi. Nëse shajmë Altin Dumanin, ke sharë të gjithë aspiratat e këtij populli që pret drejtësi për ata që kanë vjedhur në 33 vite dhe që duhet të jenë në burg dhe lekët e popullit të kthehen mbrapsht.”, u shpreh ai./abcnews.al