Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar Palestinën me ndërpreje ndihmash pasi refuzojnë negociatat për paqe me Izraelin. Ndërsa departamenti palestinez i bisedimeve për paqe thekson se të drejtat e tyre nuk janë në shitje.
Donald Trump vazhdon të praktikojë artin e diplomacisë me kërcënime, shantazh dhe ndërprerje të ndihmës financiare: viktima e fundit, pas OKB-së për votimin për Jeruzalemin dhe Pakistanit për angazhimin e pakët ndaj terrorizmit, janë palestinezët. Presidenti amerikan shprehet i gatshëm të ndërpresë fondet pasi në pikëpamjen e tij, Palestina nuk dëshiron të negociojë për paqen me Izraelin pasi SHBA njohu Jeruzalemin si kryeqytetin të shtetit hebre.
“Jo vetëm Pakistanit, ne i paguajmë miliarda dollarë për asgjë, por edhe shumë vendeve të tjera. Për shembull, ne i paguajmë Palestinëzeve qindra miliona dollarë në vit dhe nuk fitojmë vlerësim apo respekt. Ata madje as nuk duan të negociojnë një traktat të pritur gjatë për paqe me Izraelin. Ne kemi hequr Jeruzalemin, pjesën më të vështirë të negociatave, jashtë tryezës, por Izraeli, për këtë, do të duhej të paguante më shumë. Por me palestinezët që nuk janë më të gatshëm të flasin paqe, pse duhet të bëjmë ndonjë nga këto pagesa masive të ardhshme për ta?”.
Mesazhet e tij në Tuitër erdhën pak përpara se ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley të vendoste ndalimin e financimit të agjensisë së OKB-së që ofron ndihmë humanitare për refugjatët palestinezë: SHBA është donator më i madh, me një angazhim prej 370 milionë dollarë në 2016. Kjo lëvizje mund të ndezë më tej Lindjen e Mesme dhe të nxisë anti-amerikanizmin në atë rajon, pas protestave pas vendimit të njëanshëm të Shtëpisë së Bardhë për Jeruzalemin.
Ndërkohë, kundër paralajmërimeve të Trump ka reaguar edhe seksioni palestinez i negociatave për paqe me Izraelin. “Të drejtata e palestinezëve nuk janë në shitje”, shkruan departamenti i negociatave në një mesazh në Tuiter. Ndërsa më tej nënvizon se presidenti amerikan ka sabotuar përpjekjet e tyre për paqe, liri dhe drejtësi me vendimin për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet i Izraelit./abcnews.al