Australia i ofron nënshtetësinë francezit që “frenoi” sulmuesin në Sydney

schedule10:41 - 16 Prill, 2024

schedule 10:41 - 16 Prill, 2024

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese i ka ofruar nënshtetësinë një qytetari francez pas raportimeve se ai u përball me një sulmues në një qendër tregtare në Sydney të shtunën, raporton AP.

Një burrë goditi me thikë për vdekje gjashtë persona në Qendrën Tregtare “Westfield” në Bondi Junction të shtunën përpara se të qëllohej për vdekje nga autoritetet policore.

Mediat australiane raportuan se një burrë, i identifikuar si Damien Guerot, u përball me sulmuesin në shkallët lëvizëse në qendrën tregtare gjatë sulmit.

Albanese i ka vlerësuar veprimet e Guerotit, i cili aktualisht është në procesin e aplikimit për vizë, duke u shprehur se ai mund të qëndrojë në Australi për aq kohë sa të dojë.

Policia qëlloi dhe vrau sulmuesin e pastrehë, Joel Cauchi, gjatë sulmit të tij me thikë. Policia ka njoftuar se sulmuesi, 40-vjeçar, kishte histori të çrregullimeve mendore.