Zanati i punimit të bakrit, ashtu si edhe shumë të tjerë po zhduket në Gjirokastër.
Këtë e pohon me dhimbje Stefan Laze, i cili që në moshën 15-vjeçare nisi të ushtrojë këtë profesion, që nuk e ka ndarë për 50 vjet me radhë, kryesisht në zonën e Dropullit.
Mjeshtri thotë se ky zanat është mjaft i vështirë pasi e gjithë puna kryhet vetëm me dorë dhe kërkon shumë durim.
Vite më parë ai kujton se ishin një numër i lartë artizanësh në profesione të ndryshme, ndërsa sot ai ka ngelur fillikat.
Stefani thotë se sot kërkesat janë të larta për objekte e enë të punuara në alumin apo inoks.
Megjithëse interesi ka ardhur në rënie vlerësimi i klientëve për punën e tij ka mbetur i pandryshuar.
Ndër vite Gjirokastra ka qënë një ndër qytetet e dalluara për realizimin e punimeve të ndryshme artizanale por teksa mjeshtrit po largohen për shkak të moshës të rinjtë nuk dëshirojnë t’i zëvendesojnë.
Stefan Laze thotë se ky zanat ndoshta nuk të pasuron por ama të mundëson të ardhura ekonomike të kënaqshme për të përballuar jetesën.
Në zonën e Dropullit Stafan Laze është i vetmi që mban gjallë zanatin e vjetër të kallajxhiut e thotë se do të vijojë ta ushtrojë derisa mosha ta lejojë./abcnews.al