Forcat izraelite luftuan me militantët palestinezë në veri dhe në qendër të Rripit të Gazës të premten, ndërsa Khaled Meshaal, një zyrtar i lartë i grupit militant Hamas tha se beteja gjashtëmujore me Izraelin “do të sjellë shumë shpejt shkatërrimin e armikut”.
Shumica e trupave izraelite janë tërhequr nga Rripi i Gazës në përgatitje për një sulm në qytetin e saj më jugor Rafah, ku janë strehuar më shumë se 1 milion palestinezë. Luftimet megjithatë kanë vazhduar në zona të ndryshme.
Banorët e kampit ‘Al-Nusseirat’, në pjesën qëndrore të Gazës, thanë se dhjetëra persona u vranë ose u plagosën pas bombardimeve izraelite nga ajri, toka dhe deti që pasuan një sulm të befasishëm tokësor të enjten, dhe se disa shtëpi dhe dy xhami ishin shkatërruar.
Paraprakisht, zyrtarët shëndetësorë të Hamasit, organizatës që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë përcaktuar si terroriste, thanë se gjashtë persona ishin vrarë gjatë sulmit në këtë kamp. Aty janë strehuar familje refugjatësh palestinezë që nga viti 1948. Zyrtarët e Hamasit thanë se u plagosën edhe rreth 70 persona, duke përfshirë tre gazetarë palestinezë.
Në qytetin e Gazës, zyrtarët shëndetësorë thanë se të paktën 25 persona ishin vrarë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit ndaj një shtëpie në lagjen Al-Daraj. Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se 89 palestinezë janë vrarë nga sulmet ushtarake izraelite brenda 24 orëve.
Autoritetet shëndetësore në Gazë kontrollohen nga Hamasi.
Ushtria izraelite (IDF) tha në një deklaratë se po kryente “një operacion kundër militantëve dhe infrastrukturës së tyre në Gazën qendrore”, bazuar në të dhëna të sakta të shërbimeve të zbulimit.
“Dje, avionët luftarakë të IDF-së goditën mbi 60 objektiva terroriste në Rripin e Gazës, duke përfshirë pikat nëntokësore prej nga kryejnë lëshimin e raketave, infrastrukturën ushtarake dhe vendet ku vepronin terroristët e armatosur”, thuhet në deklaratë.
Në një deklaratë, Hamasi tha se bombardimet e Izraelit në kampin ‘Al-Nusseirat’ kishin në shënjestër shtëpitë dhe pronat e civilëve “pasi nuk arritën ndonjë sukses ushtarak në terren .
Izraeli mohon se ka vënë në shënjestër qëllimisht civilët, duke akuzuar Hamasin për përdorimin e ndërtesave të banimit si mburojë. Hamasi e mohon këtë.
Khaled Meshaal, i cili jeton në mërgim dhe udhëheq zyrën politike të Hamasit në diasporë, foli gjatë një ceremonie në Doha të Katarit në nderim të anëtarëve të familjes të udhëheqësit të Hamasit Ismail Haniyeh, që u vranë në një sulm ajror izraelit në Gazë të mërkurën.
“Ky nuk është raundi përfundimtar”, tha Meshaal, duke iu referuar luftës aktuale. “Është një raund i rëndësishëm në rrugën e çlirimit të Palestinës dhe të mposhtjes së projektit zionist”.
Mbi 33 mijë palestinezë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite, tha të premten ministria e shëndetësisë e Gazës, të dhëna këto të pakonfirmuara nga burime të pavarura. Ato gjithashtu thonë se shumica e 2.3 milionë banorëve janë zhvendosur dhe se pjesa më e madhe e Gazës është shkatërruar.
Lufta filloi kur Hamasi kreu një sulm terrorist ndërkufitar në pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor, në të cilin sipas autoriteteve izraelite, 1200 njerëz u vranë dhe 253 u morën peng. Rreth 130 mbahen ende në Gazë, thotë Izraeli.
Duke shmangur thirrjet e përsëritura të Shteteve të Bashkuara për përmbajtje, Izraeli zotohet të sulmojë Rafahun sepse siç thonë autoritetet izraelite, forca të rëndësishme luftarake të Hamasit janë fshehur atje pasi infrastruktura e tyre në zona tjera është shkatërruar.
Në sinjalin e fundit se një sulm izraelit në Rafah mund të jetë i pashmangshëm, avionët luftarakë hodhën fletëpalosje në një lagje perëndimore duke kërkuar informacion për pengjet.
“Për banorët e zonës ‘Tel Al-Sultan’, shikoni me kujdes përreth jush, pengjet mund të jenë diku afër jush. Nëse dëshironi të mbroni familjet dhe të ardhmen tuaj, mos hezitoni të na jepni çdo informacion rreth pengjeve dhe rrëmbyesve të tyre”, thuhet në fletëpalosje.
Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
/VOA