Kryeqyteti festoi mbrëmjen e së enjtes me këngët më të dashura greke të artisteve, Marinela dhe Antonis Remos. Në nisje të koncertit të mbajtur në pallatin e Kongreseve, Remos ka kërkuar falje drejtuar komunitetit shqiptar, për lëndimet që Greqia u ka shkaktuar.
“Në vitet 90’ ju erdhët në Greqi, u rritët, krijuat familjet tuaja, fëmijë, U rritëm dhe ne bashkë. Ajo që dua të them nga zemra janë vetëm dy fjalë: Faleminderit shumë! Kërkoj falje! Faleminderit se ndihmuat vërtet Greqinë tonë, në momentet që kishte nevojë. Dhe një “Më fal” se Greqia shumë here ju ka lënduar!”, u shpreh ai.
Në rrëfimin e tij emocionues, Antonis Remos shprehu se e kupton vështirësinë e të qenit emigrant, diçka që ka kaluar vete në shtetin gjerman.
Ai vlerëson edhe zhvillimin e kryeqytetit, Tiranës, të cilin e cilësoi si një vend të bukur, me një të ardhme të ndritur.
“Duke ardhur këtu, pashë një vend që tashmë ka hapur krahët e fluturon vërtet shumë lartë në hapësirën qiellore, me kaq arritje e ndryshime të bukura. Unë pashë një qytet kaq të bukur, Tirana është vërtet një qytet mrekulli. Urime dhe kryebashkiakut për sa ka bërë. Urime të gjithë juve për sa keni arritur”, tha ai
Për ta përfunduar fjalën e tij, Remos dha mesazhin e dashurisë dhe solidaritetit, si dy popuj kaq të lidhur në histori e që sipas Remos, duhet të qëndrojnë të bashkuar.
/abcnews.al/