Teherani konfirmoi dhjetëfishimin e prodhimit të përditshëm të uraniumit. Aktualisht në gjendje pune janë 60 centrifuga të një lloji më të avancuar se ato që janë të pranuara nga marrëveshja për programin bërthamor të arritur në vitin 2015.
“Gjatë 60 ditëve të fundit të ultimatumit ndaj partnerëve të Bashkimit Europian të marrëveshjes për programin bërthamor, Irani ka dhjetëfishuar duke e çuar në pesë mijë gramë, prodhimin e tij të përditshëm të uraniumit”. Deklarata është bërë nga kreu i organizatës për energjinë bërthamore të Teheranit, Ali Akbar Salehi.
Irani po vë në punë 60 centrifuga të avancuara IR-6 në qendrën bërthamore të Natanz, pra dyfishin e numrit të mëparshëm, një shkelje kjo e marrëveshjes për programin bërthamor të arritur në vitin 2015. Centrifugat IR-6 mund të prodhojnë uranium të pasuruar me një shpejtësi dhjetë herë më të lartë se modeli IR- 1, i llojit të vjetër, që pranohet nga marrëveshja, duke reduktuar kështu më shumë kohën e duhur për prodhimin e bërthamores, që Teherani ka mohuar gjithnjë se ka dashur ta ketë. /abcnews.al