30 vjet pas gjenocidit në Ruanda, presidenti i saj fajëson komunitetin ndërkombëtar për mosveprim

schedule17:20 - 7 Prill, 2024

schedule 17:20 - 7 Prill, 2024

Presidenti i Ruandës, Paul Kagame, fajësoi mosveprimin e komunitetit ndërkombëtar për gjenocidin e vitit 1994.

30 vjet pas vrasjes së rreth 800,000 personave nga ekstremistët e mbështetur nga qeveria, plagët nuk janë mbyllur ende dhe nuk është e qartë nëse është arritur një pajtim i vërtetë nën udhëheqjen e zotit Kagame, lëvizja rebele e të cilit ndali gjenocidin dhe mori pushtetin.

Ai është vlerësuar nga disa për vendosjen e një stabiliteti relativ, por është akuzuar nga të tjerë se ka shtypur kundërshtarët.

Në ceremonitë e mbajtura në kryeqytetin Kigali, morën pjesë mes të tjerëve zoti Bill Klinton, i cili ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara gjatë gjenocidit, si edhe presidenti izraelit Isaac Herzog.

Vrasjet masive filluan pasi një avion me të cilin udhëtonte presidenti i atëhershëm Juvénal Habyarimana, nga grupi etnik Hutu, u rrëzua në Kigali. Grupi Tutsi u konsiderua përgjegjës për rrëzimin e avionit dhe vrasjen e presidentit dhe u bë objekt i masakrave të udhëhequra nga ekstremistët Hutu që zgjatën mbi 100 ditë. Mes të vrarëve kishte edhe Hutu të moderuar që u përpoqën të mbronin anëtarët e pakicës Tutsi.

Autoritetet e Ruandës kanë fajësuar prej kohësh komunitetin ndërkombëtar për neglizhimin e paralajmërimeve për vrasjet dhe disa udhëheqës perëndimorë kanë shprehur pendesë.

Ish-Presidenti Klinton, pas largimit nga detyra, e ka cilësuar gjenocidin e Ruandës si një dështim të administratës së tij. Presidenti francez Emmanuel Macron, në një mesazh me video me rastin e përvjetorit, tha se Franca dhe aleatët e saj mund ta kishin ndaluar gjenocidin, por se i kishte munguar vullneti për një gjë të tillë.

“Nuk do t’i harrojmë kurrë tmerret e atyre 100 ditëve, dhimbjen dhe humbjen e pësuar nga populli i Ruandës, apo humanizmin që na lidh të gjithëve, ndaj të cilit urrejtja nuk mund të fitojë kurrë”, tha presidenti amerikan Joe Biden në një deklaratë.

Aktivistët e të drejtave dhe të tjerë thonë se presidenti autoritar Kagame ka krijuar një klimë frike që shkurajon diskutimin e hapur dhe të lirë për çështjet kombëtare.

Kritikët e kanë akuzuar qeverinë se i detyron kundërshtarët të arratisen, i burgos ose i zhduk ata, ndërsa disa prej tyre vriten në rrethana misterioze.

Ruanda gjithashtu ka pasur marrëdhënie të trazuara me fqinjët e saj. Kohët e fundit, tensionet janë ndezur me Kongon. Udhëheqësit e dy vendeve akuzojnë njëri-tjetrin për mbështetje të grupeve të armatosura.

Marrëdhëniet kanë qenë të tensionuara me Burundin që ka akuzuar Kigalin se po mbështet një grup rebel që e sulmon Burundin. Gjithashtu marrëdhëniet me Ugandën ende nuk janë normalizuar plotësisht pas një periudhe tensionesh që rrjedhin nga akuzat e Ruandës se Uganda po mbështeste rebelët kundër presidentit Kagame./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!