Shumë pranë Greqisë dhe Italisë, Shqipëria po kthehet në një nga vendet më tërheqëse për pushime në Evropë. Kështu nis artikulli i të përditshmes britanike “Metro”, qe fton te huajt të zbulojnë vendin tonë.
“Ende i pacenuar, ky vend ballkanik me 2,8 milionë banorë është një nga destinacionet më të përballueshme në Evropë. Me plazhe mahnitëse, peizazhe të bukura, kuzhinë të larmishme dhe banorë miqësorë, Shqipëria është e ngjashme me Greqinë, vetëm se këtu çmimet janë të lira dhe vendi nuk është prekur ende nga turizmi masiv”, shkruhet në artikull.
Teksa plazhet e Ksamilit me rërën e bardhë konsiderohen tashmë si “Maldivet e Europës, pas jehonës që iu bë në mediat ndërkombëtare verën e kaluar, “Metro” veçon një tjetër thesar të Rivierës Shqiptare që për të huajt nuk është shumë i njohur, Lukova.
Gazeëtarja britanike në artikullin e saj përshkruan me detaje se si britaniket mund të mbërrijnë në Lukovën e Shqipërisë.
“Një nga mënyrat më të mira për të arritur në Lukovë nga Britania e Madhe është të fluturosh për në Korfuz dhe të kapësh tragetin për në Sarandë, me një kosto prej 26 euro për person. Nga atje, është 25 minuta me makinë deri në Lukovë. Një tjetër rrugë është aeroporti i Tiranës dhe më pas dhe të bëni katër orë me makinë deri në Lukovë”, shkruhet në artikull. Aty nënvizohet se klima është shumë e mirë në çdo stinë të vitit, por koha më e mirë për të vizituar Lukovën është gjatë muajve të verës.
E përditshmja britanike, ndalet më tej tek çmimet e lira të akomodimit në hotele, që fillojnë nga 21 paund nata në maj dhe deri në 57 paund në gusht.
Plazhi i Lukovës përshkruhet si një ndër më të bukurit e brigjeve të rivierës shqiptare, ndërsa ushqimi është gjithashtu i shijshëm dhe i lirë.