VIDEO | Verona ia del pa Kumbullën, magjia e Balotellit nuk mjafton

schedule17:16 - 3 Nëntor, 2019

schedule 17:16 - 3 Nëntor, 2019

Gola, dëmtime dhe kore raciste në ndeshjen Verona-Brescia. Ndeshja nisi keq për Marash Kumbullën që u detyrua të linte lojën shumë shpejt. Një dëmtim muskulor frenoi 19-vjeçarin e talentuar, i cili u ndërrua në minutën e 16-të.

Pjesa e parë nuk dhuroi gola dhe emocionet ishin ruajtur në fraksionin e dytë. Salcedo Mora zhbllokoi ndeshjen në fillim e pjesës së dytë për vendasit. Verona nuk u ndal dhe shënoi sërish.

Matteo Pessina, i cili erdhi nga stoli, dyfishoi shifrat  në minutën e 81-të me anë të një diagonaleje të saktë. Miqtë reaguan dhe shkurtuan rezultatin me Mario Balotellin. Ultrasit vendas nuk i kursyen koret raciste kundrejt sulmuesit italian, i cili nuk duroi dhe shkelmoi një top drejt tribunës së tyre.

 

Balotelli shënoi një eurogol, por nuk mjaftoi për të marrë pikë. Fitorja e dytë radhazi për Veronën dhe humbja e tretë rresht për Brescian. Amir Rrahmani u aktivizua gjatë gjithë ndeshjes për vendasit, ndërsa Emanuele Ndoj u hodh në fushë në fillimin e pjesës së dytë nga trajneri i Brescias.

Në ndeshjet e tjera ra në sy futorja e Udineses në fushën e Genoas, ndërsa sfida Lecce-Sassuolo (ndeshja e parë në Serie A mes këtyre dy ekipeve) përfundoi në barazim 2-2. /abcnews.al

Genoa – Udinese 1-3
(Pandev 22′ / De Paul 32′, Sema 87′, Lasagna 90+5′)

Lecce – Sassuolo 2-2
(Lapadula 18′, Falco 42′ / Toljan 35′, Berardi 85′)

Verona – Brescia 2-1
(Salcedo Mora 50′, Pessina 81′ / Balotelli 85′)

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!